Historinë e veçantë të strehimit e mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri dhe konkretisht të plot 26 prej tyre nga një familje e vetme, e ka sjellë përmes realizimit të një dokumentari interesant një studente në Durrës.

Marsida Lala, studente në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në UAMD, në degën e Masterit Profesional në “Multimedia dhe TV Digjital”, ka trajtuar historinë e strehimit të 26 hebrenjve në vitet 1943-1944 në fshatin Qarrishtë të Librazhdit. Marsida ia ka dedikuar këtë dokumentar gjyshit të saj, Muhamed Biçakut, babai i të cilit ndihmoi për plot 2 vjet hebrenjtë; burra, gra e fëmijë të pafajshëm, që u kthyen në endacakë për t’iu shpëtuar nazistëve që kërkonin t’i zhduknin në mënyrë makabre.

Pa kërkuar asgjë në shpërblim, madje duke refuzuar dhe paratë që ato tentonin t’i jepnin, familja Biçaku ka mbajtur për 2 vjet me të ngrënë, me të pirë e duke i mbajtur të fshehur në shtëpi, jo pak, por plot 26 hebrenj.

Bëhet fjalë për vitet e largëta të ’40-s, por si i lindi ideja studentes nga Durrësi që të trajtonte këtë histori dhe me materiale të ruajtuara prej kohësh? Si i ka gjetur materialet dhe të gjitha informacionet për realizimin kaq bukur të këtij dokumentari, i cili ka tërhequr vëmendjen e të gjithë stafit akademik të FTI-së?

Për “DurrësLajm”, Marsida Lala tregon se të gjitha materialet i ka ruajtur vetë ndër vite me anë të CD-ve, çdo material që i kanë dhënë familjes së saj ajo ka pasur dëshirën e mirë për t’i ruajtur këto të dhëna, me kaq histori brenda, si asete të vyera.

E nisur për t’u paraqitur në auditor si detyrë kursi, Marsida e ka realizuar në kohë rekord këtë dokumentar për vetëm 3 ditë. Me selektimin e të gjitha materialeve bruto, renditjen e tyre, montazhin, përzgjedhjen e muzikës, e çdo hallkë në të cilën duhet të kalojë një punim i tillë, ky është produkt i mirëfilltë i punës individuale të Marsidës, që brenda saj ka shpalosur pasionin dhe dëshirën e mirë për të treguar veprat humane të shqiptarëve.

Teksa me emocione rrëfen edhe për “DurrësLajm” historinë e largët të familjes Biçaku, nderimin që i është bërë në Amerikë gjyshit të saj me çmimin “Kujdesi për të Kujdesurit”; mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore; Marsida tregon shpirtin dhe karakterin heroik të shqiptarëve, që mbrojtën me jetë këta persona. Hebrenjtë pavarësisht se kanë vazhduar jetën e tyre në liri, ende sot e kësaj dite nuk i kanë harruar shqiptarët dhe veprat e tyre të mira. Familja e Muhamed Biçakut aktualisht banon në qytetin e Durrësit.

Ky punim u cilësua dhe si detyra që pati më shumë vëmendje nga të gjitha punimet e paraqitura nga studentët e vitit të parë të “Multimedias”.

*(Në videon më poshtë dokumentari; në foto: prezantimi i punimit në UAMD, si dhe i ftuar i veçantë në auditor protagonisti i dokumentarit, gjyshi i studentes, Muhamed Biçaku).