Fiqerete Hajdari nga Kukësi, përfituese e ndihmës ekonomike për disa vite, ka kaluar në sipërmarrëse të pavarur, duke ruajtur dhe promovuar traditën e veshjeve popullore shqiptare.

Përmes programit të vetëpunësimit dhe grantit të projektit “Fuqizimi i jetëve, përfshirja në tregun e punës”, Fiqirete Hajdari arriti të shndërrojë pasionin dhe aftësitë e saj për punimin e veshjeve tradicionale në një aktivitet ekonomik të qëndrueshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ndau historinë e Fiqiretes, e cila për disa vite kishte qenë përfituese e ndihmës ekonomike dhe punonte nga shtëpia me veshjet tradicionale.

Pasi u konsultova me stafin e Këshillimit të Karrierës, shkova te Zyra e Punës. Aty po jepeshin grante për biznese të reja. Aplikova edhe e fitova grantin”, shprehet Hajdari.

Me grantin e përfituar, ajo bleu makineritë e nevojshme dhe hapi biznesin e saj, duke e kthyer një aftësi të trashëguar dhe një pasion personal në burim të ardhurash.

“Do t’u sugjeroja edhe të tjerëve që të vazhdojnë të aplikojnë edhe të ndjekin çdo gjë që kanë në mendje, sepse do t’u realizohet një ditë”, shprehet ajo.

Koçiu theksoi se mbështetja për njerëzit punëtorë do të vijojë përmes programeve dhe mundësive konkrete për punësim dhe vetëpunësim, në funksion të krijimit të një të ardhmeje më të mirë dhe europiane.