Për shumë familje të varfëra shitja e gjakut është i vetmi burim të ardhurash  

Shitja e gjakut është kthyer në mjetin e vetëm të mbijetesës për qindra familje në qytetin e Durrësit. Shitësit e gjakut, të cilët janë kontigjent i përhershëm i bankës së gjakut të spitalit të qytetit bregdetar, e bëjnë këtë “tregti” të detyruar prej kushteve të këqija ekonomike. Edhe pse në spital quhen dhurues gjaku, ata janë shitës që pranojnë të japin masa gjaku për shkak të varfërisë së madhe dhe kushteve ekstreme në të cilat jetojnë. 50 vjeçarja, Ermelinda Tema, që prej 30 vitesh shet gjakun e saj për të mbajtur familjen prej katër anëtarësh. E mësuar tashmë me këtë lloj tregtie, siç e përkufizon ajo, shuma prej 3.800 lekësh është e pamjaftueshme për të përballuar anën ekonomike, por shitja e gjakut  është e vetmja rrugë që i ka mbetur asaj për të mbijetuar. “Kam një kohë të gjatë aq as unë vetë nuk e mbaj mend që për çdo muaj paraqitem në spital për të dhënë gjak. Këtë proçedurë e bëj një herë në 30 ditë kundrejt një pagese jo shumë të majme. Jemi katër gojë në shtëpi për t’u ushqyer, prandaj edhe nuk mund të refuzoj dot ofertën që më kanë bërë. Nga njëra anë nuk ndihem mirë që tregtoj gjakun tim, por nga ana tjetër jam shumë e lumtur që me anë të gjakut që unë jap shpëtojnë dhjetra pacientë, të cilët kanë nevojë të domosdoshme për gjak”, është shprehur 50-vjeçarja. Dhuruesit mund të mbulojnë një pjesë të mirë të kërkesave që ka pavioni i kirurgjisë për gjak.

Sipas drejtuesit të qendrës së dhurimit të gjakut, Artion Meta, pjesa më e madhe e nevojave është mbuluar nga dhurues vullnetarë, por nuk janë të pakët edhe personat që e japin me pagesë, të cilët për një njësi gjaku, në sasinë 400 ml, marrin një shpërblim prej 3.800 mijë lekësh. Sipas statistikave që ka banka e gjakut, që nga janari i këtij viti e deri më tani, në spitalin e Durrësit kanë afruar gjak rreth 380 dhurues dhe 190 persona me pagesë. Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit nevoja për gjak është shtuar disa herë për shumë shkaqe, pasi në këtë spital vijnë për të marrë ndihmën e parë apo edhe për tu operuar një numër shumë i madh pacientësh. Ata kanë renditur shtimin e popullsisë, shifrat e larta të aksidenteve, rritjen e numrit të femrave të shtruara në maternitet etj. Por ajo që mjekët mendojnë se ka ndikuar drejtpërdrejt në kërkesën e veçantë për të pasur gjak të gatshëm, është statusi i veçantë i spitalit. Që prej disa kohësh, spitali i Durrësit, pas fitimit të statusit të Qendrës Universitare, ka rritur gamën e operacioneve tejet të ndërlikuara dhe kjo e rrit akoma edhe më shumë kërkesën për gjak. Nevoja gjithnjë e më e madhe e pacientëve për gjak dhe ulja e numrit të individëve, që dhurojnë gjak vullnetarisht ose e shesin atë, nxjerr si nevojë primare zhvillimin e fushatave të shpeshta sensibilizuese për ti bërë thirrje qytetarëve të drejtohen drejt bankave të gjakut. Nismës më të fundit të Kryqit të kuq Durrës i janë bashkuar punonjësit e administratës së shumë institucioneve si ata të Ujësjellës-Kanalizimeve, drejtorisë së Tatim Taksave, Bashkisë së Durrësit dhe Autoritetit Portual Durrës. Sipas Agim Shehit, kryetarit të degës së kryqit të kuq Durrës dhurimi vullnetar i gjakut mbetet mjaft i rëndësishëm, për shkak të rezervave të ulëta që kanë spitalet.