Presidenti i Iranit, fajësoi Shtetet e Bashkuara  të Amerikës për dështimin e bisedimeve të fundit të paqes në Islamabad, duke përmendur atë që ai e cilësoi si kërkesa të tepruara dhe mungesë vullneti politik nga zyrtarët e lartë amerikanë.

Në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, Pezeshkian tha se këta faktorë penguan arritjen e një marrëveshjeje, raportoi sot transmetuesi shtetëror iranian në anglisht “PressTV”.

“Pavarësisht mirëkuptimeve në nivel ekspertësh të arritura mes palëve, tejkalimi i kërkesave dhe mungesa e vullnetit politik nga zyrtarët e lartë amerikanë kanë penguar finalizimin e marrëveshjes”, citohet të ketë thënë ai.

Ai shtoi se diplomacia mbetet rruga e preferuar e Iranit, duke theksuar njëkohësisht ruajtjen e plotë të dinjitetit dhe sovranitetit kombëtar.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan bisedime direkte gjatë fundjavës nën ndërmjetësimin e Pakistanit, por negociatat përfunduan pa një rezultat konkret.