Me një bagazh eksperience në “Old Trafford”, por vjen në Mançester edhe me kapriçot e çdo trajneri me një përvojë të madhe. Ralf Rangnik mund të lërë në garazh makinat e luksit të Kristiano Ronaldos, ndërsa lojtarët me tatuazhe nuk do t’i kenë mirë raportet me të.“Pse nuk transferoj lojtarë me tatuazhe? Nëse do të thosha është një rastësi, kjo nuk është e vërteta. Për stilin e futbollit që luajmë, na duhen lojtarë skuadre. Ne duhet të diskutojmë përse njerëzit i mbulojnë trupat e tyre me tatuazhe? Ka të bëjë me të qenit i veçantë dhe me përpjekjen për të tërhequr vëmendje. Unë nuk e pyes një futbollist përpara se të takohemi, më trego trupin nëse ke tatuazhe.

Ndoshta disa prej tyre kanë tatuazhe. Të paktën nuk i kanë ato ku mund t’i shohësh kudo”, shpjegoi tekniku gjerman për arsyet e konservatorizmit të tij dhe përse ai nuk firmos me ta. Markus Rashford është një nga futbollistët me trupin më të “gdhendur” në “Old Trafford” dhe këto 6 muaj dhe duke mësuar këto detaje për trajnerin e ri mund të jetë bërë nervoz.

UDHËTIMI – Por, Kristiano Ronaldo dhe shokët e tij mund të detyrohen që t’i lënë makinat e tyre në garazh për të shkuar në stërvitje. Në klubet ku ka drejtuar, Rangnik vendosi rregull që futbollistët të udhëtojnë me shofer në stërvitje. Mbetet për t’u parë nëse diçka të tillë do ta aplikojë edhe në “Old Trafford”. Yllit portugez i pëlqen të ndërrojë makinat, ndërsa i drejtohet çdo mëngjes qendrës stërvitore “Carrington”. Në garazhin e tij ka pesë Ferrari, Rolls Rojs, një Bugati që kushton 9 milionë paund, dhe një MekLaren Sena e rrallë. Në total garazhi i tij kushton 18 milionë paund.

STAFI – Tekniku aktual, Majkëll Karrik, mund të qëndrojë në stolin e skuadrës edhe në ndeshjen kundër Arsenalit në Premier Ligë, të enjten, gjithnjë në rast se Rangnik nuk do të zgjidhë në kohë dokumentacionin për të nisur punën. Klubi i Junajtidit ka konfirmuar se stafi teknik i ish-trajnerit Ole Gunar Solskjaer do të vijojë të qëndrojë në klub, përfshirë asistentin e norvegjezit, Majk Felan, trajnerët Karrik dhe Kieran MekKena, por edhe teknikun e portierëve, Riçard Hartis. Ata do të vijojnë të jenë pjesë e stafit, pavarësisht se Rangnik do të sjellë disa nga njerëzit e tij më të besuar pranë vetes. Një prej tyre është videoanalisti Lars Kornetka.