Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë sjellë një situatë të pazakontë në kufirin ujor mes Kosovës dhe Shqipërisë. Liqeni i Vërmicës, i lidhur me sistemin e Liqenit të Fierzës, është tharë në një pjesë të konsiderueshme të tij, duke lënë pas një sipërfaqe të gjelbëruar ku tashmë kullosin bagëtitë.

Në shtratin e liqenit, në pjesën që shtrihet në territorin e Kosovës, pranë pikës doganore të Morinit, tashmë mund të dallohen qartë objekte dhe gjurmë që zakonisht mbulohen nga uji.

Mes tyre shihet edhe Dogana e rruga e vjetër e kufirit, e cila dikur shërbente si vijë ndarëse midis dy ish shteteve socialiste Shqipërisë dhe Jugosllavisë, deri në vitin 1948.

Ndërkohë, edhe në pjesën tjetër të kufirit ujor, në verilindje të Shqipërisë, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka shënuar rënie të ndjeshme.

Liqeni i Fierzës, një prej rezervuarëve më të mëdhenj të kaskadës së Drinit, me kapacitet mbi 3 miliardë metra kub ujë, po përballet gjithashtu me pasojat e thatësirës.

Nga kuota maksimale prej 296 metrash, niveli i ujit është aktualisht rreth 279 metra, me një diferencë prej 17 metrash.