Sërish situata paraqitet e tensionuar në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës edhe gjatë ditës së sotme.
Sipas informacioneve, rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet, ku kamionët e kompanisë 2A Group vijojnë të mbajnë të bllokuara hyrjet në kantier.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Emin Pacolli, presidenti i MABCO-s dhe vëllai i vogël i Bexhet Pacollit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Forcat e policisë kanë shkuar në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e situatës, duke argumentuar se janë në pritje të urdhrave dhe procedurave përkatëse nga organet kompetente.
Ndërkohë, të gjitha hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës vijojnë të mbeten të bllokuara nga rojet e sigurisë, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë ndërhyrje nga autoritetet për zgjidhjen e konfliktit që po pengon ecurinë e punimeve në aeroport.





