Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar kërkesën e Pamela Qirkos, ish-anëtare dhe ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), e cila synonte të emërohej si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Pamela Qirko, e njohur në publik edhe si motra e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ishte pjesë e listës prej 10 juristësh të institucioneve të vetingut që kishin aplikuar për t’u futur në sistemin e gjykatave të Apelit pas përfundimit të mandatit të tyre kushtetues.

Në mbledhjen plenare të zhvilluar këtë të premte, Këshilli mori vendimin për rrëzimin e kërkesës së saj, duke mos i dhënë dritën jeshile për të veshur togën e zezë në shkallën e dytë të gjyqësorit.

Së bashku me Qirkon, KLGJ rrëzoi edhe kërkesat e 9 kolegëve të saj të tjerë nga KPK (Suela Zhegu, Firdes Shuli, Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia), duke mbyllur për momentin rrugën e kalimit të tyre të drejtpërdrejtë në trupat gjykuese të Apelit.