Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ka goditur zonën e Karaibeve, duke shkaktuar lëkundje që janë ndjerë deri në Florida, ku kombëtarja e Anglisë po zhvillon përgatitjet për Kupën e Botës.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit është regjistruar në perëndim të Kubës, rreth 650 kilometra nga Florida qendrore, me një thellësi prej rreth 16 miljesh.

Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të mëdha si Miami, Orlando dhe Jacksonville, ndërsa raportohet se edhe disa ndërtesa janë evakuuar për arsye sigurie.

Tërmeti është ndjerë gjithashtu në disa zona turistike të Floridas, përfshirë edhe “Disney World”, ku vizitorët kanë raportuar dridhje të forta të tokës.

Autoritetet amerikane konfirmuan se nuk ka rrezik për cunami, ndërsa deri tani nuk raportohen dëme të mëdha apo viktima.

Epiqendra e tërmetit është raportuar pranë brigjeve perëndimore të Kubës, ku banorët kanë përjetuar lëkundje të forta dhe panik në rrugë. Mediat lokale raportojnë se shumë persona kanë dalë jashtë banesave nga frika.

Sipas dëshmive nga Kuba, lëkundjet janë përshkruar si ndër më të fortat e ndjera në dekada, në një rajon që rrallë përjeton tërmete të kësaj magnitude.

Kombëtarja e Anglisë ndodhet aktualisht në Florida për përgatitjet e ndeshjeve miqësore para Kupës së Botës dhe do të përballet me Kosta Rikën në Orlando gjatë kësaj jave. Stërvitjet e “Tre Luanëve” po zhvillohen në West Palm Beach, ndërsa më vonë ekipi pritet të zhvendoset në Kansas City për fazën përfundimtare të përgatitjeve.