Bashkia e Shijakut është në pritje të akordimit të fondit nga qeveria, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga dëmet që shkaktoi tërmeti i 21 shtatorit. Pushteti vendor ka në dispozicion vetëm 2 milionë lekë të reja nga fondi i emergjencës, por kjo shumë është shumë pak, po të kemi parasysh se dy lëkundjet e frikshme të së shtunës së 21 shtatorit lanë pas një faturë të kripur dëmesh, që në total arrin në 260 milionë lekë të reja.
Kryebashkiaku Elton Arbana shprehet se bashkia i ka përfunduar të gjitha procedurat për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve, ndërkohë që puna për ndërtimin apo riparimin e banesave të pabanueshme apo të dëmtuara, pritet të nisë sapo Këshilli i Ministrave të akordojë fondin përkatës. Në bashkinë e Shijakut janë gjithsej 62 banesa të pabanueshme, ndërkohë që 390 të tjera kanë dëmtime të ndryshme.
Në komunikimin e tij me "DurrësLajm", Arbana bën te ditur se 30 familje nga njësitë administrative Maminas, Gjepalaj dhe Xhafzotaj janë sistemuar tashmë prej rreth 2 javësh tek Kavalishenca në Plepa, ndërsa 12 të tjera janë të strehuara në çadra. Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe afrimi i stinës së dimrit mund ta bëjë edhe më të vështirë jetën e këtyre familjeve në javët dhe muajt e ardhshëm. Disa prej tyre, edhe pse kanë shtëpi mjaft të dëmtuara, vazhdojnë të qëndrojnë në godinat e pabanueshme, pasi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të familjarëve apo gjësë së gjallë që nuk kanë ku ta sistemojnë vazhdojnë të jetojnë në banesat gjysëm të shembura.
DurrësLajm pasqyroi një ditë më parë rastin e familjes Keçi nga Shijaku, ku 7 anëtarët e saj vazhdojnë të jetojnë në banesën e dëmtuar rëndë, ndërsa sytë i kanë tashmë nga shteti që presin që t’u vijë në ndihmë, sepse e kanë të pamundur ta rindërtojnë vetë shtëpinë.
Nga njësitë administrative të bashkisë së Shijakut, Maminasi rezulton të jetë më i godituri nga dëmet e tërmetit. Kryebashkiaku Arbana nënvizon se gjatë këtyre kohëve biznesmenë të ndryshëm janë ofruar të kontribuojnë për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara, por ata mund të marrin përsipër vetëm ndërhyrjen në 2-3 shtëpi, ndërkohë që nevojat në terren janë për shumë më tepër.
Kryetari i Bashkisë nuk harron të nënvizojë faktin se gjatë këtyre ditëve të vështira, familjet e dëmtuara, kryesisht ato të sistemuara në Kavalishencë, janë ndihmuar me produkte ushqimore nga shoqata bamirëse vendase dhe të huaja.
Lëkundjet sizmike 5.8 dhe 5.5 ballë të 21 shtatorit, të cilat e patën epiqendrën në Durrës, shkaktuan dëme të shumta në dy bashkitë e qarkut. Në Durrës, tërmeti shkaktoi dëme tek 1700 banesa, ndërsa fatura e dëmit është më shumë se 4 milionë euro. Në ndryshim nga Shijaku që ka në dispozicion vetëm 2 milionë lekë fond emergjence, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond emergjence 100 milionë lekë për familjet e dëmtuara, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës i akordoi 200 milionë lekë.
Pushteti vendor në Durrës dhe Shijak është në pritje të akordimit të fondeve nga Këshilli i Ministrave dhe njëkohësisht udhëzimeve përkatëse sesi do të procedohet më pas për kompensimin e familjeve të prekura.
M.B.





