Mosfunksionimi i ndriçimit publik në lagje të ndryshme të qytetit është një shqetësim i ngritur vazhdimisht nga “DurrësLajm”.
Rasti më i fundit, i publikuar dy ditë më parë, kishte të bënte me rrugën “Hysen Myshketa” në lagjen nr.5.
Burime nga Ndërmarrja “Rruga” na bëjnë të ditur se shkak për mungesën e ndriçimit është bërë vjedhja e kabllit të furnizimit me energji të shtyllave të ndriçimit.
Kjo nuk është hera e parë, që hajdutët vënë në shenjestër të tyre kabllot e energjisë, duke lënë pa ndriçim publik komunitete të tëra. Ndërkohë të njëjtat burime na siguruan se po punohet për të rikthyer ndriçimin në këtë zonë brenda mbrëmjes së të enjtes.
Pas interesimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, na u bë me dije se në 6 muajt e fundit, Ndërmarrja Rruga ka bërë 4 denoncime për vjedhje kablli, konkretisht në lagjet nr. 6, 17/1, 5 dhe 1.
Po sipas të njëjtave burime, gjatë kësaj periudhe është arrestuar një person, ndërsa një tjetër po ndiqet në gjendje të lirë, të akuzuar për veprën venale “Vjedhje”.
Nisur nga fenomeni i përsëritur i vjedhjes së kabllove, Ndërmarrja Rruga ka nisur të betonojë pusetat, ku pozicionohen kabujt nëntokësorë, por sërish hajdutët e kanë gjetur “zgjidhjen”.
Mësohet se gjatë orëve të natës ata shkulin disa nga pllakat e trotuareve rreth e qark pusetave dhe realizojnë vjedhjen e kabllove.
Por nuk është vetëm vjedhja e kabllove të energjisë, që lë në terr qytetarët.
Në lagjen nr.8, pranë shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, gjatë orëve të natës në të gjithë lagjen pllakos terri, siç na e kanë dëshmuar qytetarë të ndryshëm përmes videove amatore të dërguara pranë redaksisë sonë.
Në këtë rast, firma e ndërtimit që po realizon investimin në infrastrukturën rrugore të zonës, ka shkëputur furnizimin me energji të shtyllave të ndriçimit gjatë punimeve.
Burime nga Ndërmarrja Rruga na bënë të ditur se i ka kërkuar kompanisë private, së bashku me Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, që të rilidhë sa më shpejt furnizimin me energji për shtyllat e ndriçimit të të gjithë zonës.
M.B.





