Presidenti Obama, para pothuajse dy vjetësh, mbajti një fjalim të mirë në Arizonë, pasi një person i armatosur – një tjetër djalosh problematik amerikan me një pushkë gjysmautomatike – vrau gjashtë persona dhe plagosi shumë të tjerë, përfshirë anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Gabrielle Giffords.

Tema e tij ishte se pajtimi amerikan është i vlefshëm meqë atë ditë ishte vrarë edhe një vajzë nëntë vjeçe. Por fjalimi gjithashtu pati jehonë të madhe për shkak të vënies së theksit të fortë: “Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi pasivë karshi një dhune të tillë. Ne duhet të fillojmë t’i sfidojmë bindjet e vjetra me qëllim që të kemi një prospekt për një të ardhme me më pak dhunë”.

Presidenti i ka ashpërsuar fjalët dhe ka derdhur lot, pasi një djalosh 20-vjeçar – pas vrasjes së nënës së tij dhe marrjes së arsenalit të saj të armëve – hyri me forcë në një shkollë fillore në Newtown të Connecticutit,  javën e kaluar, dhe masakroi njëzet fëmijë të moshës 6 dhe 7 vjeçe, sikurse edhe gjashtë anëtarë të tjerë të stafit. Obama edhe një herë ka folur në lutje dhe i është bashkuar komunitetit. Edhe njëherë ai ka dhënë premtimin e vakët të “veprimit kuptimplotë për të parandaluar tragjedi të tjera si kjo”.

Masakra e Newtownit përthekon shumë gjëra: djallëzore, të papërmbajtura, në kuptimin e plotë të fjalës, të padurueshme. Kush mund t’i shikojë në sy njëzet filloristë të pafajshëm dhe t’i ekzekutojë? Është shprehi të thuhet se këtë e bën vetëm një përbindësh, por afërmendsh se përgjigjja është një qenie njerëzore.

Mënyra për ta larguar potencialin e pakapshëm djallëzor të njeriut nuk është mbajtja e një fjalimi retorik dhe të prekshëm, por janë ligjet efektive që qeverisin interaksionin e qytetarëve në shoqëri. Tmerri i Newtownit është një dështim politik. Është një dështim i vullnetit amerikan. Ky vullnet është personifikuar prej presidentit. Michael Bloomberg, kryetar i qytetit të New Yorkut, kishte plotësisht të drejtë kur e qortoi Obaman: “Ai është komandanti suprem, por edhe ngushëlluesi suprem”.

Dhe ai duhet të ketë komandën për kontrollin e armëve. Çështja bazohet në disa fjalë të përshtatura para 221 vjetësh. Amendamenti i Dytë shkruan (çdo pjesë e tij, përfshirë edhe shenjat e pikësimit, është shumë e debatueshme): “Një milici e rregulluar mirë, duke qenë e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë, e drejta e njerëzve për të pasur dhe mbajtur armë, nuk duhet të shkelen”.

Kjo fjali e vetme është bërë bazë rakitike e një ideologjie të mbështetur nga lobi i fuqishëm prej milionash i armëve. Pretendon se e drejta e individëve për të pasur armë është e patjetërsueshme prej thelbit të lirisë amerikane. Çdo përpjekje për ta frenuar këtë të drejtë në njëfarë forme merret si antiamerikane. Me këtë qasje, pushka bëhet garantues i virtytit dhe i demokracisë: evropianët e pafuqishëm ia dorëzojnë të drejtat e tyre Qeverisë së Madhe (religjionin e tyre të ri), ndërkaq amerikanët e sertë që i frikësohen Zotit, mendojnë se Qeveria duhet t’u shërbejë atyre.

Evropianët shikojnë të gjithëmbarshmen. Në shumë aspekte, gërshetohen kulturat evropiane dhe amerikane. Ato dallojnë kur vjen puna te armët dhe Zoti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë më shumë armë dhe i japin rol Zotit – një shenjë vitaliteti dhe një mungesë cinizmi evropian për shumë amerikanë, por një kombinim i rrezikshëm në sytë e evropianëve.

Çfarë lidhje ka rioshi Adam Lanza, i armatosur me një pushkë gjysmautomatike “Bushmaster 223”, me një “Milici të rregulluar mirë”, ose me “sigurinë”, ose me një “Shtet të lirë”, apo me “popullin”?

Kurrfarë.

Amendamenti i dytë nuk mund të jetë një justifikim i paprekshëm për leje për armë, një pasaportë për njëfarë pronësie të parregulluar për armët që lehtëson vrasjet masive. James Madison në mendje kishte rendin dhe ligjin, e jo katrahurën.

Megjithatë, prej kohës së fjalimit të Obamas në Arizonë dhe kësaj masakre, ligjet amerikane të armëve ende nuk janë bërë më të serta. Ende nuk janë “sfiduar” bindjet e vjetra, ato vetëm sa janë fuqizuar. Kultura e armëve ka rrënjë të thella.

Prej kohës së fjalimit të tij shumë të kritikuar për amerikanët ruralë “të kapur” pas armëve dhe Zotit – që ishin konsideruar si një patriotizëm i butë liberal – Obama ka qenë pasiv me fjalë për çështjen e armëve. Por këta 20 fëmijë të vdekur brenda një viti të përshkuar me vrasje masive, kërkojnë që ai të jetë i vendosur që të ketë një qasje “të rregulluar mirë” të armëve, megjithëse kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë kurrfarë leje për mbajtje të armëve, ama duhet të ketë rregulla, kufizime dhe kontrolle periodike të blerësve të armëve, dhe cilido qoftë legjislacioni, ai njëmend duhet ta përkrahë “sigurinë e një shteti të lirë”.

Prej kësaj vetëm do të përfitonin pronarët e armëve. Shtetet e Bashkuara nuk do të shndërroheshin brenda natës në një Evropë duke shfuqizuar Amendamentin e dytë që historikisht e ka bërë më të rrezikshme jetën e fëmijëve amerikanë, sesa do të duhej të ishte.

Kur masakrohen në mënyrë masive fëmijët, ai është një moment kthese për çdo shoqëri. Ta dënosh këtë si një akt i një të krisuri, është e papranueshme kur ai është pjesë e çështjes, pjesë e kulturës. Pyetja që duhet të ngrihet nuk është se a do ta parandalonin këtë ligjet më të fuqishme, por se a mos e kanë mundësuar këtë ligjet dhe sjelljet aktuale.

Madje edhe nazistët kanë pasur telashe me shkallën e lartë të masakrimit të fëmijëve. Për të kapërcyer pengesën psikologjike në shtetet baltike në vitin 1941, ata shpeshherë kishin angazhuar policinë dhe milicinë lokale për të vrarë fëmijë hebrenj. Dhomat e gazit ishin krijuar për efikasitet. Ato gjithashtu ishin bërë për të shmangur atë që kishte bërë Lanza: t’i shikonte në sy fëmijët e tmerruar.

Fjalët e bukura dhe lutjet e sinqerta paketohen sikur ombrellat e lira në stuhi. Çka kërkohet është një zgjidhje politike për t’iu kundërvënë një kamxhiku. Newtown është bërë një test vendimtar për të parë nëse mandati i dytë i Obamas është i ndryshëm. Shenjat nuk janë fort të mira. Fjalimit të tij në Newtown i mungonin dy fjalët kyç: armët dhe ligjet.

 Marrë nga gazeta amerikane, “New York Times”.