· 4 DOKUMENTE TË ARKIVIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT / Kështu Sekretari amerikan i Shtetit, fitues i çmimit Nobel për Paqen, Kordell Hall parandaloi shpërthimin e një lufte shqiptare-greke
THANAS MUSTAQI
DURRËS, 19 qershor 2015 – Në arkivat amerikane janë katër dokumente të rralla të periudhës tetor-dhjetor 1944. Ato bëjnë fjalë për mundësinë e nisjes së një konflikti greko-shqiptar, ndërkohë që ende vazhdonte Lufta e Dytë Botërore. Shefi i një qeverie komuniste të krijuar në tetor 1944 në Berat Enver Hoxha u bënte të qartë amerikanëve se nuk do të lejonte cenimin e territorit shqiptar nga grekët, ndërkohë që kërcënonte me luftë dhe kërkon referendum për Kosovën. Nisur nga përplasjet me misionet angleze në Shqipëri, Hoxha refuzon ndihmat aleate, pasi dyshonte për prirjet pro-greke të britanikëve. Nga ana tjetër qeveria greke kërkonte shpalljen e Shqipërisë “shtet armik” dhe mosnjohjen e qeverisë së përkohshme shqiptare të Beratit, dhe për faktin se Enver Hoxha ishte “turk mysliman”. Këshilltari politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Itali, diplomati i njohur Aleksandër Kërk (Alexander Comstock Kirk, 1888-1979), detyrohet t’i dërgojë një telegram urgjent, më 23 tetor 1944, Sekretarit të Shtetit, fitues i çmimit Nobel për Paqen, Kordell Hall (Cordell Hull, 1871-1955), lidhur me deklaratën e Enver Hoxhës për një luftë të mundshme greke-shqiptare për kufirin. Më 20 tetor 1944 Enver Hoxha u kërkon aleatëve të njohin Qeverinë e Përkohshme të kryesuar prej tij. Ndërkohë grekët donin të përfitonin nga situata për të pushtuar Shqipërinë e Jugut, për të cilën Enver Hoxha “pretendon se është shqiptare përfundimisht. Hoxha thekson më tej se shqiptarët do të luftojnë për këtë territor nëse është e nevojshme”. Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta të Italisë, i hapeshin telashe të mëdha me ndonjë konflikt të mundshëm greko-shqiptar, ende pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Për më tepër që Enver Hoxha u kërkonte amerikanëve një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Dokumenti 1 / Enver Hoxha: Grekët në Shqipëri duhet të kthehen në Greqi
Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit [Kordell Hall]
Kazerta, më 23 tetor 1944, ora 17:00 [Marrë më 24 tetor, ora 08:23]
OSS-ja [Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e CIA-s] raporton se Hoxha ka thënë se ai vetë pranon kufirin jugor shqiptar të vendosur në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Ai mban pozicionin që grekët në Shqipëri duhet të kthehen në Greqi dhe nuk sheh ndonjë justifikim për referendum dhe se do të kundërshtonte një referendum në Shqipërinë e Jugut, për të cilën [Hoxha] pretendon se është shqiptare përfundimisht. Hoxha thekson më tej se shqiptarët do të luftojnë për këtë territor nëse është e nevojshme. Nga ana tjetër, Hoxha mendon se problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm me referendum.
KËRK (KIRK)
Dokumenti 2 / Pasi të largohen gjermanët…
Telegram i të ngarkuarit me detyrën e Sekretarit të Shtetit (Stettinius) drejtuar z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta
Uashington, më 9 nëntor 1944, ora 21:00
Departamentit të Shtetit do t’i interesonin informacionet që ju ose anëtarët e stafit tuaj në Bari mund të keni ose do të arrini të merrni mbi perspektivat e ruajtjes së stabilitetit në kufirin greko-shqiptar, pasi të largohen gjermanët dhe të kalojë në duart e autoriteteve vendase kontrolli i plotë. Sikurse mund të jeni njoftuar, qeveria greke jo vetëm ka paraqitur pretendime për territore të gjera në Shqipërinë e Jugut (Epirin e Veriut), por ka kërkuar që Shqipëria duhet shpallur “shtet armik” dhe shfaqi dëshirën e saj për të dërguar trupat grekë për pushtimin e zonës së diskutueshme.
Qeveria amerikane vazhdimisht ka bërë publike me formulime të qarta pikëpamjen e saj se për kontestet kufitare nuk duhet vendosur para rregullimit të përgjithshëm. Qeveria britanike ka deklaruar se çështja e kufijve të Shqipërisë duhet shtyrë për t’u zgjidhur nga konferenca e paqes. Ndërkohë ne mendojmë se kërkesa greke për Shqipërinë e Jugut duhet marrë në shqyrtim në atë kohë [në konferencën e paqes], dhe i përmbahemi pikëpamjes se ndërkaq kufiri i para-luftës duhet konsideruar si kufiri legal. Nga ana tjetër, shtetet që janë në kontest dhe shtetasit e tyre duhet të mos ndërmarrin veprime, të cilat do të shkelnin këtë kufi apo të cilat do të tentonin të paragjykonin një zgjidhje të kontestit kufitar në thelb në një datë të mëvonshme. Për këto arsye, mendojmë se është e rëndësishme që forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare duhet të parandalojnë shkeljen e kufirit dhe se duhen ndaluar përpjekjet nga ana e të dy palëve për të dëbuar ose shfarosur minoritetin që i përket një gjuhe ose etnie tjetër. Jemi të sigurt se autoritetet ushtarake këtë problem e kanë mirë parasysh, por do t’ju ishim mirënjohës për çdo informacion që mund të jeni në gjendje të ofroni mbi këtë temë. Telegramet tuaja të kohëve të fundit mbi Shqipërinë… kanë qenë shumë të dobishme.
STETTINIUS
Dokumenti 3 / Shërbimet sekrete: Ja pse shqiptarët nuk duan ndihma nga aleatët
Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit
Kazerta, më 5 dhjetor 1944, ora 22:00. [Marrë ora 22:58]
Qëndrimi jo-bashkëpunues i FNÇ-së [inicialet shqip në origjinalin anglisht për “Fronti Nacional Çlirimtar”] në Shqipëri ndaj misioneve aleate dhe mungesa e dëshirës së tyre për të kërkuar ndihmë nga Aleatët shpjegohet sipas mendimit të JIC-it [1] pranë Shtabit të Forcave Aleate me: (1) dëshirën për të siguruar njohje nga aleatët si autoriteti i vetëm qeverisës në Shqipëri, (2) frikën përballë shfrytëzimit ekonomik nga të huajt si në të kaluarën nga italianët, (3) krenarinë kombëtare që shkakton ngurrim për të pranuar para aleatëve se ka mungesa dhe dobësi dhe (4) dyshimin e natyrshëm për qëllimet e Aleatëve në Ballkan, veçanërisht në mbështetje të irredentizmit grek.
KËRK (KIRK)
Shënim i origjinalit anglisht:
[1] JIC: Joint Intelligence Committee – Komiteti i Përbashkët i Shërbimeve Sekrete
Dokumenti 4 / Greqia: Amerika të mos njohë qeverinë turke myslimane
Memo bisede, hartuar nga ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve të Lindjes së Mesme (Koler)
[UASHINGTON,] më 6 dhjetor 1944.
Të pranishëm: Z. Cimon P. Diamantopoulos, ambasadori grek
Z. Alling [1]
Z. Kohler
Ambasadori grek thirret me kërkesën e tij për të diskutuar për çështje aktuale. Ai lexoi një telegram të Qeverisë së tij që shprehte kundërshtimin e saj të vendosur ndaj formimit të një qeverie në Shqipëri nga Hoxha (ambasadori tha se ky emër ishte në të vërtetë Hodja, dmth “mësues”, dhe e quajti turk mysliman). Telegrami vazhdonte me thëniet se forcat e Hoxhës në Shqipëri po terrorizonin dhe po shtypnin minoritetin grek në Shqipërinë e jugut.
Ambasadori, me sa duket, nuk ishte i sigurt lidhur me qëllimin e qeverisë së tij, veçanërisht nëse ishte udhëzuar të na kërkonte parandalimin e formimit të Qeverisë Hoxha apo mosnjohjen e çdo qeverie të tillë që mund të formohej. Ai po kërkon sqarime për këtë pikë.
Në përgjigje të kërkesës së tij mbi pikëpamjet tona si pjesë e dytë e mesazhit, iu sugjerua se nëse qeveria greke synonte rezultate praktike këtë fare mirë mund t’ua kërkojë autoriteteve ushtarake britanike që ishin përgjegjës për zonën e Shqipërisë në hetimin e këtyre akuza për terrorizim dhe shtypje.
FOJ KOLER (FOY D. KOHLER)
Shënim i origjinalit anglisht:
[1] Pol Ejlling (Paul H. Alling), zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.
Përkthimi i dokumenteve dhe sqarimet në kllapat katrore janë të autorit të speciales.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





