Teuta dhe Goga Basket kanë fituar ndeshjet e para gjysmëfinale të play off-it në basketboll për meshkuj, duke mundur respektivisht Tiranën dhe Partizanin e udhëheqin 1-0 me ndeshje. Ndërsa në play out, Vllaznia triumfon ndaj Invaders dhe hedh një hap të sigurtë drejt qëndrimit në Superligë sezonin tjetër.

Në mjediset e Akademisë Dh.Goga, skuadra e Goga Basket mundi 81-74 Tiranën, një ndeshje me emocione edhe pse vendasit ishin vazhdimisht në epërsi. Skuadra e Gogës nuk arriti në asnjë moment të krijonte një epërsi të madhe, duke i dhënë mundësi rivalëve bardheblu të rivalizonin deri në fund. Gjithsesi, Tirana nuk kishte forcën për të rivalizuar dhe durrsakët korrën një fitore të merituar.

Në “Ramazan Njala” të Durrësit, skuadra e Teutës mundin 83-60 Partizanin. Sfida ishte një formalitet për durrsakët, gjithnjë në epërsi në fushë, ndërkohë që nga Partizani pritej më shumë. Të kuqtë ishin larg formës më të mirë, duke gabuar shumë, çka e bëri më të lehtë fitoren e Teutës. Skuadra durrsake në këtë ndeshje drejtohej nga Xhelala Kalaja pas largimit të Afrim Bilalit.