Teuta pret Laçin në momentin më të mirë të 2018-ës. Që pas marjes së drejtimit të skuadrës nga Gentjan Begeja “djemtë e detit” kanë arritur të ndryshojnë kurs, në lojë dhe rezultate. Diferenca me Vllazninë është -1 pikë, teksa optimizmi vjen jo vetëm nga fakti që në 6 javët e fundit janë regjistruar 2 fitore dhe 3 barazime, por edhe përsa i përket gjendjes së individëve.

Për duelin me kurbinasit trajneri i Teutës mer lajmin e mirë për rikuperimin e kapitenit Arbër Çyrbja, një nga futbollistët më të rrezikshëm në fazën sulmuese. Por nuk është vetëm ky lajmi që gëzon durrsakët, që në fundjavë do të shkojnë me një gjendje psikologjike shumë të mirë.

Nga Teuta janë grumbulluar me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Shqipërisë dy elementë, portieri Elhan Kastrati si dhe mbrojtësi i majtë Esin Hakaj. Një tregues se cilësia tek djemtë e detit nuk mungon, por që të dalin në pah ato duhet besim.

Jo pak herë trajneri Begeja ka theksuar që ky grup ka nevojë të injektohet nga besimi se mund t’ia dalë në fushë, dhe fakti i të qënurit pjesë e seleksionit më të mirë të kombëtares së grupmoshës e tregon këtë. 

Gjithashtu edhe përballjet direkte në dy fazat e para me Laçin nuk kanë rezultuar të këqija pasi ekipet janë ndarë në barazpeshë, duke marë nga 2 pikë secila prej tyre, ndërkohë që Teuta shpreson të shfrytëzojë faktorin fushë për të siguruar fitoren që do ti japë qetësi në klasifikim.