Teuta ka vijuar përgatitjet për ndeshjen ndaj Kastriotit, e cila pritet të jetë shumë e vështirë për shkak të kundërshtarit, por edhe mungesave që trajneri Edi Martini pritet të ketë në repartin e sulmit. Fitorja në këtë ndeshje është më shumë se detyrim, por alternativat në sulm mungojnë.
Kapllani dhe Hebaj e lanë ekipin në këtë dritare transferimesh. Ildi Gruda, që pritej të ishte “trashëgimtari” i qendrës së ofensivës, ka pësuar një dëmtim në kofshë, teksa vijon fazën e rikuperimit. Ai është në dyshim serioz për sfidën me krutanët. Në këto kushte, Aldrit Oshafi mbetet opsioni i vetëm për Edi Martinin në sulm. Mbetet për t’u parë nëse trajneri do t’i besojë atij, apo do të modifikojë sulmin me vendosjen e Lorenco Vilës në qendër të ofensivës.
Martini u foli futbollistëve për peshën e kësaj ndeshjeje, duke u kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim, mund të arrihet mbijetesa në pjesën e mbetur të sezonit. Atmosfera në skuadër është relativisht e mirë, ndërsa përveç Grudës, i gjithë grupi do të jetë në dispozicion të stafit teknik. Sulmuesi ka një fije shpresë për të qenë i gatshëm ndaj Kastriotit, pasi sot do të bashkohet me grupin dhe mbetet të shihet sesi muskujt do t’i përgjigjen.
Ndeshja ndaj Kastriotit shihet edhe si një provë për vazhdimësinë në Durrës, pasi në javët e fundit skuadra ka marrë dy fitore dhe një humbje. Në rast se durrsakët kërkojnë të qëndrojnë në Superiore, kthesa duhet të nisë me Kastriotin, për të tentuar më pas mbajtjen e një trajektoreje suksesesh të herëpashershme. Krutanët konsiderohen si një skuadër fatsjellëse për Teutën, pasi në sezonet e fundit durrsakët kanë ditur shumë shpesh sesi të fitojnë. Ndërkohë, në merkato trajneri Martini pret padyshim një qendërsulmues. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë pistë konkrete.