Skënderbeu i jep asistin që prisnin Kukësit dhe Partizanit. Skuadra e Ilir Dajës pas pesë  fitoreve ndalet për herë  të  parë  në  kampionat, meritë  e Teutës që  barazoi 1-1 në strofullën e ujqërve, rezultati i pestë pozitiv radhazi për Maganin. E kishte nisur me dëshirë Skënderbeu me Salihin që  u prezantua që  në  minutën e dytë  me  Kastratin por goditi jashtë , natyrisht më  këmbëngulës vendasit në  minutat e para por pa krijuar raste të  pastra, me Mustën që  i ra këmbanave të  alarmit për korçarët në minutën e 18 kur depërtoi në  zonë  por u vonua duke i dhënë  kohë  ndërhyrjes së  Radas. Teuta me kokën lart dhe bën befasinë  e madhe në  të  21, kur goditja e Hilës nga jashtë  zonës gjen traversën dhe Musta që  shfrytëzon si duhet nga afër për të  ndëshkuar Skënderbeun.1-0 për Teutën me Skënderbeun që  për herë  të  parë  nën drejtimin e Dajës i duhet të  ndjekë  në  kampionat.

Skënderbeu hidhet në  kërkim të  golit, me Kastratin që  rrezikon në  goditjen e Salihit në  të  38 dhe pjesa e parë  mbyllet me Teutën në  avantazh. E dyta nis sërish me Skënderbeun kërkues, i afrohen golit vendasit me Sabien Lilajn që  gjen rrjetën e jashtme në  të 47-tën minutë, menjëherë  më  pas është dhe James nga jashtë  zone. Vuan për të gjetur golin skuadra e Dajës dhe pikërisht atëherë kur dukej se po shkonte drejt një  harakiri të  pabesueshëm, Skënderbeu ndëshkon Teutën me armën e saj të  preferuar, kundërsulmin. 

Në  minutën e 63 hapësirat e pamata shfaqen për Latifin dhe James, me prishtinaliun që  avancon në  të  djathtë  për të dhe në asistin perfekt për nigerian që  i paraprin Kastratit në  hyrje të  zonës. Gjithçka në  ekuilibër nga e para me ndeshjen që bëhet edhe më interesante. Madje mund të  bëhet shumë  më  interesante në të 66 kur në goditjen e Artur Maganit me kokë, Orges Shehi tregon se reflekset nuk e kanë  tradhëtuar me një  pritje vendimtare.  Në  minutën e 70 vjen momenti i debutimit të Marvin Ogunjimit, blerjes së  madhe të  dimrit për sulmin, del nga loja autori i golit James, pas përgëzimit të  Dajës, belgu e nis me dëshirë, por shkëndijat aty para i japin Liridon Latifi që  godet bukur në  diagonale në  të  83 dhe Salihi që  provon befasinë  në  shtesë, gjithsesi janë vetëm shkëndija me Skënderbeun që  nuk arrin të  shënojë  më dhe mbyllet 1-1, ndalen kampionët, meritë  e Teutës, detyrat e shtëpisë  mbeten për Kukësin e Partizanin të dielën.