– Arritje e ndjeshme e notit durrsak
– Teuta kthehet në atdhe me 16 medalje
– Specialisti Italian Eros Pavon korr frutet e angazhimit të tij
– Ardhshmëria e pritshme shumë inkurajuese
– Që tani po mendohet për Japonia 2020
BUJAR QESJA
Hercegnovi ndodhet në pjesën verilidore të Malit të Zi, ku natyra e ka mbuluar me privilegjet e saj. Qyteti është ngulur në zemër të një mali, duke i lënë hapsirën e duhur detit. Hercegnovi në këto ditë fle, për tu rizgjuar në muajt e nxehtë, ku turizmi çfaqet po aq i ngrohtë sa moti.
Turneu ndërkombëtar “Montenegro Mimosa Cup” 2016, mblodhi me 12 – 14 shkurt 2016, 310 notarë nga 9-të vende evropiane: Shqipëria, Hungaria, Rusia, Mali i Zi, Serbia, Austria, Sllovenia, Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Prania e madhe e notarëve shqiptarë, plot 113 – mbi 30 përqind e pjesëmarrjes, na ngacmonte për ta trajtuar Mimoza Cap si minikampionatin shqiptar të notit. Noti shqiptar përfaqësohej nga Teuta e Durrësit me 31 notarë, Te Stela 35 notarë, KS Tirana 20 notarë, Nobis 18 notarë dhe Partizani 9 notarë.
Qendra e njohur termale Igalo, është ndërtuar që në kohën e Titos të thonë vendasit dhe vlen edhe si një hotel dhe qendër grumbullimi sportistësh të këtij niveli konkurimi, siç është aktiviteti ndërkombëtar Mimosa Cup. Një pishinë 25 metërshe, me një infrastrukturë të përshtashme elektronike, në një qytet sa një pëllëmbë, u bë epiqendra për të 21-tin vit i takimit ndërkombëtar Mimosa Cup. Është një takim, ku notarëve u njihet nga FINA çdo rezultat i arritur.
Ndërkombëtarizimi i Teutës
Veçanërisht në katër vitet e fundit, garimet e notarëve të Teutës shikohen me kërshëri, për vetë faktin se funksionon me konsulencë italiane. Specialisti i njohur i notit italian, që kryen veprimtarinë e tij në drejtimin e shtatë pishinave të notit në Milano dhe të trajnimit të mjaft ekipeve – Eros Pavon, është pjesë e Teutës së Durrësit. Ai është lidhur me trajnerin e Teutës Gjergj Ngresi dhe kolegun e tij Edmond Berdaku dhe ushtron konsulencë aktive thuajse çdo ditë.
Është meritë e tij në mirëfunksionimin e të gjitha hallkave të Teutës, duke dhënë porosi rigoroze për ecurinë e çdo notari. Veçanërisht ai mbulon shumë afër garimet e notarëve të ditëlindjes 2000 si Aleksandër Ngresi, Frenk Berdaku dhe Ron Mujali, të 14 vjeçarit Ralf Qirjako, të Enea Zhupës dhe notareve femra si Nargi Golashi, Egli Dhuli dhe emrit të njohur Noel Borshi.
Lidhjet me këtë mik të respektuar të notit durrsak dhe atij shqiptar, janë të atilla sa që priten më tej surpriza të këndshme, gjithnjë në favor të zhvillimit cilësor të notit tonë. Është në detyrë të Federatës Shqiptare të Notit, të presidentit të saj të respektuar Agim Çiraku dhe sekretares Suela Haxhia, që të planizojnë me Eros Pavon projekte afatgjata, në dobi të shtimit të pjesëmarrjes së notarëve shqiptare në veprimtari ndërkombëatre, duke përmirësuar dukshëm kushtet e trajnimit të tyre. Pavon është i kënaqur me punën që kryhet, me pasionin dhe zellin e madh që i kushtojnë stërvitjes notarët e rinj dhe me mbështetjen e stafit teknik të Teutës si Gjergj Ngresi, Edmond Berdaku dhe stafit të tyre me Gent Golashin, Barush Mujalin, Irakli Qirjako, Ilir Ngresi, Nasi Gajo etj.
Padisktuim merita kalon edhe në anën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili po bëhet copa ti rikthejë Durrësit traditat e shkëlqyera. Ndërtimi i pishinës moderne dhe fillimi së shpejti edhe i fazës së dytë, për të përmirësuar dukshëm infrastrukturën sportive të parashikuar, do ta çojnë Teutën në vendin ku e meriton.
Vështrimi i italianit të mençur të notit Eros Pavon, është përqendruar në kampionatin botëror të Japonisë në vitin 2020. Dhe për të ardhur deri këtu, priten befasia në dobi të notit tonë.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Notit, po shikojnë me vëmëndje mundësitë e duhura për ti ofruar notit tonë asistencën e nevojshme. Pavon këtu është pika referuese. Një mundësi më shumë për tu shfrytëzuar. Mbase një De Biaz i dytë na është ofruar, por tashmë në not. Karta Eros Pavon është në favorin tonë. Të mos e lëmë të na ikë ky shans i artë. Teuta është në delir nga puna e italianit. Talentet e saj janë si një gonxhe, që presin të çelin lule, aroma e të cilave mund të mbulojë kopshtin në lulëzim të notit shqiptar.
Nargi Golashi
Me plot meritë, na i ka “vjedhur” këto rradhë, 13 vjeçarja e talentuar e Teutës Nargi Golashi. Tri vende të parë në 100, 200 dhe 400 metra stil i lirë. Thyerje të ndjeshme të kohëve të saj. Kulmi arriti në garën e 400 metrave stil i lirë, ku Golashi e përmirësoi në 15 sekonda kohën më të mirën që kishte para kësaj.
Trajneri i saj Gjergj Ngresi, tregon se nga edicioni i kaluar i Mimosa Cup e deri në këtë të tanishmin, Nargi Golashi përmirëson kohën në 45 sekonda. Hap shumë i ndjeshëm drejt të panjohurave të këndshme.
Nargi është vajza e Gent Golashit, një fis i njohur në Durrës nga geni sportiv. Gjyshi i saj është Krenar Glashi, nga volejbollistët legjendë të Teutës të viteve 60-të. Genti bëhet copash ti plotësojë çdo gjë të duhur Nargit, ku vitet e mëvonshme do ta evidetojnë si një nga kapitujt më spikatës të notit.
Noeli nga Roma në Hercegnovi
Sakrificë e pashembullt e Noel Borshit, që rrugëton nga Roma për në Hercegnovi. E rrethuar me një dashuri të pakufi nga stafi i Teutës, ajo i ndodhet pranë notit shqiptar në kohën më të rëdësishme për të.
Borshi i dha Teutës katër medalje, 3 të arta dhe 1 të bronzit. Vendi i parë 50 dhe100 metra stil flutur, 200 metra stil i lirë dhe vendi i tretë në 400 metra stil i lirë. Mbeti shumë pranë rekordeve kombëtare që i mban po vetë.
Noel Borshi pa mbushur ende një vjeç, është vendosur në Romë dhe prej 19 vitesh jeton këtu. Është në vitin e parë të Universitetit të njohur të Romës La Sapienza dhe studion ne degën e psikologjisë. Është pjesë e ekipit G.S Roma ’53 dhe stërvitet nga trajneri italian Paolo Melduore.
Por 13 shkurtin e vitit 2016, Noeli do ta mbaj mënd gjatë. Ajo sigurisht ndodhej larg familjes biologjike, por e rrethoi një familje tejet e ndjeshme, ajo e sportit, e Teutës së notit. Pikërisht në këtë ditë Noeli mbushi 20 vite jetë. Me mundësitë e tyre, krejt papritur në tavolinën ku po drekonte ekipi – vendoset një tortë ku ishin vendosur dy qirinj në shifrat 20-të. Menjëherë grupi i Teutës fillon të këndojë urimin e famshëm në gjuhën angleze happy birthday to you. Lot gëzimi! Noeli tashmë i takon edhe Teutës.
Ditëlindja e saj u festua kështu, por pasdite edhe në pishinë, ku ajo kishte edhe një arsyje më shumë për të dalë e para në garën e 100 metra delfin. Një medalje artë, e shënuar në një ditë të artë të jetës së saj. Ky është noti, me bukuritë shpirtërore dhe romantike që ofron.
Dy rekordet e Aleksandër Ngresit
Është nga talentet në zhvillim të notit. Për të ëshë bërë një investim nga familja prej gjashtë vitesh. Ngresi është i datëlindjes 2000 dhe pritet të pushtojë me fuqinë e talentit të tij, të gjitha garat e stilit shpinë. Mban të gjitha rekordet e moshës dhe në Hercegnovi, i dha notit shqiptar edhe kohë të reja. Kjo për moshën deri në 18 vjeç.
Në 100 metra shpinë koha e re është 1’06” 11, kur ishte 1’06”23. Në 200 metra shpinë rekordi i ri i Ngresit është 2’22”37, duke lënë pas kohën e vjetër 2’23”81. Trupi i fortë dhe krahët e fuqishëm, gjatësia e duhur mbështetur në një punë të vullnetshme dhe të jashtëzakonshme, si dhe në një asistencë stërvitore evropiane që po jep Eros Pavon, shpejt do ta kthejnë Ngresin në një violinë e parë e notit shqiptar.
Tashmë viti 2020 nuk është larg, për të filluar zbatimin e një plani ambicioz. Masiviteti i nisur është në nxitje të një cilësie në rritje. Dhe Aleksndër Ngresi sigurisht është pjesë e saj.
Grupi i Pavonit
Krahas Borshit, Golashit dhe Ngresit edhe disa notarë të tjerë të Teutës, konsiderohen si të grupit të italianit Eros Pavon. Kështu mjaft premtues paraqitet në rezultatet e tij edhe Frenc Berdaku, një notar i fortë shumëplanesh.
Edmond Berdaku po bën çmos për aftësimin e të birit, për të shkuar paralel kjo kujdesje me talentin e Frencit. Po kështu Pavon po merret edhe me 16 vjeçarin tjetër Ron Mujali, i cili progreson nga gara në garë. Edhe Enea Zhupa është shpresë. Duke mos harruar për asnjë moment edhe Ralf Qirjakon, nervi i të cilit sikur është prerë për notin. Po kështu edhe Egi Gajo me Bianti Danaj. Ndërsa për femra mund të fitohet edhe 14 vjeçarja Egi Dhuli.
Por Teuta kishte edhe notarë të tjerë që premtojnë si Goga, Gogo, Duni, Dhimgjini, Mustafaraj, Frashëri, Resuli, Doraci, Sulejmani, motrat Gjoka, Hyka, Muka, Beja, Nikolli, Nerjaku, Kalaci etj.
Kryetrajneri i Teutës Gjergj Ngresi është optimist, se pishina e re frekuentimi i së cilës nis që nga pranvera e këtij viti, kujdesi i Bashkisë dhe i kryetarit Dako, janë plusë që i bashkëngjitet punës dhe talentit të notarëve tanë.
Paraqitja e Teutës në Mimosa Cup 2016 është mbreslënëse. Të shpresojmë më tej edhe më mirë.





