Rastësi e fatit apo meritë e Teutës. Në futboll fati është shumë i rëndësishëm dhe ka një rol jo të vogël në ecurinë e një ndeshjeje, por në rastin e duleve mes Skënderbeut dhe Teutës, më shumë sesa fat mund të thuhet që është meritë e Djemëve të Detit. Për të dytin sezon rradhazi ishte sërish Teuta që ndali ecurinë fantastike të korcarëve në kampionat.

Pas 5 fitoreve radhazi në 5 ndeshjet e para të fazës së 3-të skuadra e Ilir Dajës ndali marshin triumfues duke barazuar 1-1 ndaj Teutës në Korçë, madje duke pësuar edhe golin e parë në kampionat me trajnerin kryqytetas në stol. I njëjti refren edhe sezonin e kaluar me ndryshimin vetëm se atëherë ishte faza e parë me skuadrën e Maganit që falë një barazimi 2-2 në Korçë në javën e 7-të, i prishte ecurinë perfekte prej 6 fitoresh në 6 ndeshje Skënderbeut, që në fund gjithsesi arriti të fitonte titullin kampion.

Historia mund të përsëritet me korcarët që mund të bëjnë të tyrin një tjetër kampionat në fund të sezonit, por pas ndeshjes së fundit ndaj durrsakëve mund të thuhet me plot gojën se Teuta është si një mace e zezë për bardhekuqtë, pasi di ta ndalë Skënderbeun në momentin më të mirë. Më 16 tetor të 2015-s me kampionët që ishin me sy e mendje nga Europa League pasi ishin të angazhuar në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, Teuta me Gugash Maganin në stol i rrëmbente një barazim 2-2 në Korçë.

Ashtu si këtë të shtunë edhe rreth 1 vit e gjysmë më parë Emiliano Musta ishte një nga lojtarët që realizonte në Korcë golin e parë për Djemtë e Detit me ndryshimin e vetëm që në sfidën e fundit i dha avantazhin provizor 1-0 Teutës ndërsa në 2015-tën barazonte shifrat në 1-1. Që Teuta është një kundërshtar shumë i rrezkishëm për Skënderbeun, kjo dihej sepse e la të kuptohej edhe trajneri Daja në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, por që do të ishin sërish durrsakët për të dytin sezon radhazi që do të ndalnin hovin e Skënderbeut në kampionat këtë askush se priste. Meritat janë të gjithë për Djemtë e Detit dhe trajnerin Magani që konfirmuan mometin e tyre pozitiv me një rezultat të rëndësishëm në Korcë.