Teuta është skuadra e parë finaliste e play off-it në basketboll për meshkuj. Durrsakët fituan 69-63 ndaj Partizanit në “Asllan Rusi” në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke fituar 2-0 serinë. Ende në dilemë emri i finalistit të dytë, pasi Tirana fitoi 82-75 ndaj Goga Basket gjysmëfinalen tjetër luajtur në “Fahrie Hoti”, duke barazuar në 1-1 serinë e takimeve.

Në “Asllan Rusi”, skuadra e Teutës ka siguruar një biletë për në finale pas një ndeshje me shumë rivalitet dhe të dueluar deri në fund ndaj Partizanit. Të kuqtë bënë mjaft rezistencë dhe shpresuan në fitore, por në fund u detyruan të pranojnë humbjen.

Me gjithë përpjekjet, skuadra e Partizanit nuk ishte mjaftueshëm në lartësinë e Teutës, që pas Kupës dhe Superkupës synon edhe trofeun e tretë sezonal, titullin kampion.

Në gjysmëfinalen tjetër, Tirana mposhti 82-75 Goga Basket, një rezultat disi surprizë, duke parë që durrsakët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë. Gjithsesi, bardheblutë bënë një ndeshje mjaft të mirë, sidomos në mbrojtje, duke ndalur vrullin e ekipit durrsak.

Tirana luajti me zemër dhe arriti të jetë më e saktë në gjuajtje, duke fituar me meritë një ndeshje me shumë emocione e rivalitet. Sfida e tretë, ajo që do të përcaktojë finalistin e dytë, do të luhet pas 3 ditësh në Durrës.