Duke parë edhe afrimet e pakta deri më tani, është e qartë se Teuta këtë vit po mundohet ta ndërtojë skuadrën mbi bazën e lojtarëve të akademisë dhe kampionatit shqiptar, për të shmangur sa mundet riskun e futbollistëve të ardhur nga jashtë, me të cilët ka pësuar jo pak “blofe” në të shkuarën. Skuadra aktuale e bluve është një nga ekipet me shumë prodhim shqiptar në përbërje për sa i përket Kategorisë Superiore dhe kjo është padyshim diçka për t’u krenuar për blutë.

PORTA – Kuadrati prej dy vitesh i është besuar Pano Qirkos, portier i dalë nga Flamurtari, e i afirmuar në elitë nga Tirana e Bylisi. Ndërkohë, edhe Endri Dema është prodhim tërësisht durrsak, i rritur në “fabrikën” e talenteve të Teutës.

MBROJTJA – Një nga shtyllat e skuadrës, Artan Jazxhi, është lojtar i dalë nga Akademia e Tutës. Në vitin 2017 Teuta e afroi dhe 21-vjeçari e ka shpërblyer gjithë investimin. Kotobelli është gjithashtu një produkt tërësisht vendës. Mbrojtësi i majtë ka debutuar me Teutën si profesionist, por hapin e madh e bëri me skuadra si Flamurtari apo Tirana. Nga ana tjetër, Hektor Idrizaj është një “prodhim” ekskluziv i Flamurtarit.

MESFUSHORËT – Një nga “xhevahirët” e Teutës, Ledio Beqja, është një lojtar i dalë nga “minierat” e klubit blu. 21-vjeçari është rritur nga akademia e Teutës, teksa është pjesë edhe e kombëtares se moshave. Emiliano Vila, “luftëtari” i mesfushës, është gjithashtu një lojtar “Made in Teuta”. Mesfushori ka luajtur me ekipe si Inter Baku, Pas Janina e të tjerë, por hapin e madh si profesionist e bëri te Dinamo Zagreb. Talenti Lorenco Vila është produkt i Teutës, pra “puro” durrsak.

SULMUESIT – Rubin Hebaj ka dalë nga skuadra e Vllaznisë, që e rriti dhe e solli deri në nivelin për t’u transferuar te disa ekipe jashtë vendit dhe tashmë te blutë. Dejvid Kapllani është produkt tërësisht i Teutës dhe herë pas here ka treguar vlerat e tij.