Teuta po shijon një start pozitiv të sezonit, teksa pas pesë javësh durrsakët janë në krye të renditjes. Nën drejtimin e Edlir Tetovës, skuadra po përmbush pritshmëritë e krijuara gjatë verës, pavarësisht se grupi pësoi ndryshime të shumta dhe u rindërtua me një numër të konsiderueshëm prurjesh të reja. Pas fitores së rëndësishme ndaj Vllaznisë, trajneri Tetova u dha lojtarëve tri ditë pushim. Tashmë ekipi është rikthyer në stërvitje, duke nisur përgatitjet për vijimin e sezonit. Në kampin durrsak mbizotëron bindja se ka ende shumë për t’u përmirësuar, edhe pse rezultatet e para e kanë vendosur Teutën në krye të garës. 

Klubi ka bërë të ditur se skuadra po vijon punën me ritëm të lartë dhe me fokus maksimal nën drejtimin e Tetovës dhe stafit teknik. Pjesë e përgatitjeve do të jenë edhe ndeshjet miqësore, të cilat synojnë të mbajnë lojtarët në gjendje optimale dhe t’i japin trajnerit mundësinë të provojë alternativa të ndryshme. Një prej këtyre sfidave do të jetë ajo e 2 tetorit, kur Teuta do të përballet me Kukësin në stadiumin “Niko Dovana”. Për durrsakët, kjo miqësore do të shërbejë si një “provë gjenerale” përpara rikthimit në kampionat. Pas pauzës, Teuta do të ketë përballë Skënderbeun, në kuadër të javës së gjashtë të Superiores. Tetova kërkon të shfrytëzojë këtë periudhë për të konsoliduar ekipin dhe për të ruajtur ritmin pozitiv të javëve të para.