Shqipëria vitet e fundit, me përfshirjen në guidat turistike botërore ka ngjallur kureshtjen e shumë turistëve të huaj, veçanërisht të apasionuarve pas natyrës së virgjër, që toka shqiptare e ofron me shumicë. Në vitin 1809 Lord Bajroni do të përshkonte një pjesë të Shqipërisë me kalë dhe përshtypjet nga ajo vizitë, nga mikpritja shqiptare dhe prijësi Ali Pashë Tepelena do t’i përshkruante në vargjet e poemës së tij “Shtegtimet e Çajld Haroldit”. 2 shekuj më vonë një patriote e tij, gazetarja Minty Clinch do të përshkruante së bashku me 4 anglezë të tjerë të njëjtin shtegtim me kalë në viset e Shqipërisë jugore. 

Përshtypjet e saj nga ky udhëtim gazetarja angleze i ka përshkruar në një shkrim të publikuar në faqen online të gazetës britanike “The Telegraph”. Duket se gazetarja britanike e ka vizituar Shqipërinë në stinën e verës, pasi në nisje të reportazhit të saj thekson se "po ndërmarrin një udhëtim në një temperaturë prej rreth 40 gradë Celcius". Udhëtimi me kalë i Clinch, një bankieri dhe gruas së tij si dhe një tregtari antikuariatesh dhe një punonjësi social nis nga malet afër Hoshtevës. Ndërsa përshkruan natyrën e bukur shqiptare Clinch nuk lë pa përmendur rrugëtimin e lordit Bajron në këto vise 2 shekuj më parë. “Në gjurmët e Lord Bajronit, i cili bashkë me mikun e tij të Kembrixhit eksploruan për herë të parë jugun e Shqipërisë në vitin 1809. Në kohë paqe mbase ata do të kishin kaluar përmes Francës dhe Italisë, por luftërat e Napoleonit i detyruan të ndërmarrin një aventurë më ambicioze, duke nisur nga shtëpitë publike të Lisbonës, përmes Greqisë e më pas me kalë në Tepelëne, vendlindjen e despotikut Ali Pasha, i cili rezultoi të ishte një mikpritës mjaft bujar”,- shkruan Clinch. 

Më tej gazetarja përshkruan në vija të trasha për turistët anglezë disa nga etapat kryesore përmes të cilave ka kaluar historia e Shqipërisë, duke nisur nga traktati i Londrës i vitit 1913, fqinjët me të cilët rrethohet vendi ynë e për të përfunduar tek të dhënat lidhur me numrin e popullsisë, besimet fetare etj. Clinch ndalet edhe tek 45 vjeçari që vendi ynë përjetoi regjimin më të egër komunist në Europë, regjimin e Enver Hoxhës. “Edhe pse trashëgimia brutale e Hoxhës ende vazhdon në politikën autoritare dhe përbuzjes për sundimin e ligjit, vendi sot mirpret vizitorët me ngrohtësi, ashtu siç bënte edhe në kohën e Bajronit”,- thotë Clinch.

Ditët e kaluara me kalërim shpesh janë një rutinë e vërtetë thotë gazetarja britanike, pasi bën zakonisht të njëjtat gjëra përditë, por kjo gjë nuk mund të ndodhë në Shqipëri, sepse ajo është tokë e të papriturave. 

“Një ditë vizituam një manastir Bektashi ku takuam dhe dervishin e parë. Më pas në Libohovë, një fshat I madh I dominuar nga ajo që ka mbetur prej fortifikimeve Otomane, hëngrëm drekë nën një pemë 250 vjeçare ku ndodhej tarraca e të vetmit restorant të zonës. Ashtu si Bajroni mbase”,- vijon përshkrimi. Grupi më pas vizitoi Antigonenë, qytetit antik të themeluar nga mbreti Pirro I Epirit në vitin 295 para erës sonë, I kthyer tashmë në park arkeologjik kombëtar. 

Më pas udhëtimi vijoi me një kamping treditor në malet Bureto. “Çuditërisht, Shqipëria renditet e dyta pas Finlandës në Europë, për energjinë hidroelektrike, ku pjesa më e madhe gjenerohet në këto zona të pyllëzuara. Fshatrat e ndërtuara në shpatet e maleve me mure dhe çati të latuara me gurë janë thuajse të padukshëm deri sa futesh brenda tyre. Shumë prej banorëve të rinj janë larguar drejt Greqisë për punë por ata që kanë mbetur hapin dyert me buzëqeshje e disa na ofrojnë edhe raki”, shkruan gazetarja britanike duke iu referuar kështu mikpritjes shqiptare që vazhdon të mbetet një nga traditat më të vyera të kombit tonë.

“Është momenti për të zbritur nga malet dhe për tju bashkuar Bajronit në peisazhin e bukur përmes Vjosës së trazuar përmes Këlcyrë. Nuk ka asnjë më poetike, një mbyllje e bukur i një udhëtimi zbulues në një tokë të paeksploruar”,- përfundon reportazhi i Minty Clinch, që bën një panoramim mjaft të bukur të asaj çfarë ofrojnë viset shqiptare, natyra e virgjër dhe mikpritja e popullit tonë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://www.telegraph.co.uk/travel/activityandadventure/9888119/Albania-on-horseback-in-the-footsteps-of-Lord-Byron.html

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/