BRITANI E MADHE, 25 shkurt 2013 – Kleriku më i lartë katolik në Britaninë e Madhe, kardinali Keith O’Brien ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i kryepeshkopit të Shën Endrjus dhe Edinburgut të Skocisë, pas akuzave për sjellje të pahijshme me priftërinjtë në vitet ’80. 

Kisha Katolike e Skocisë njoftoi se Papa Benedikti XVI ka pranuar dorëheqjen e O’Brien, të cilën ai e kishte kërkuar që në muajin nëntor të vitit të shkuar.

Pas dorëheqjes, kardinali ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Konklavën që do të zgjedhë pasuesin e Papës gjatë muajit mars, duke e lënë Britaninë në këtë mënyrë, pa asnjë përfaqësues në këtë proces.

Në një komunikatë për mediat, ai njoftoi se Papa do të caktojë një administrator apostolik që të drejtojë dioqezën, derisa të vendoset zëvendësuesi i tij.

"E kam vlerësuar mundësinë që mu dha për t’i shërbyer në mënyra të ndryshme njerëzve në Skoci, por edhe në vende të tjera që nga koha kur u bëra prift. Duke kthyer vështrimin pas në gjërat e mira që kanë bërë gjatë kësaj kohe unë falenderoj Zotin për gjithçka. Për çdo dështim u kërkoj falje atyre që i kam ofenduar”,- tha kardanali O’Brien në një komunikatë për shtyp.

Tre priftërinj dhe një ish-prift depozituan para disa ditësh deklaratat e tyre tek nunci papal, Antonio Menini, ku e akuzonin kardinalin O’Brien për sjellje të pahijshme.

Madje, mediat britanike raportojnë se një prift ka pasur nevojë për këshillim psikologjik pas marrëdhënies me O’Brien. Në një ankesë tjetër, një prift u shpreh se ishte 18 vjeç kur u përball me ngacmimet e tij. Këto dhe hijet e skandaleve të korrupsionit në Vatikan, po trondisin selinë e shenjtë këto ditë.

Një zëdhënës i Vatikanit bëri të ditur se selia e shënjtë është duke hetuar lidhur me akuzat e ngritura ndaj O’Brien. Gjithçka po ndodh në një kohë, kur Kolegji i Kardinalëve po përgatitet të zgjedhë Papën e ri, pas largimit më 28 shkurt të Benediktit XVI.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/