Në ditën e 13-të të protestës kundër qeverisë, protestuesit artikuluan sërish kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një i ri bëri thirrje edhe për zgjedhje të parakohshme.
Ai pyeti protestuesit: “Kam një pyetje për turmën. Doni zgjedhje të parakohshme? A doni që kjo revoltë të shkojë diku? Po apo jo?”, ndërsa përgjigjja e turmës ishte një “Po” e fortë në kor, ndërsa i riu bëri thirrje që protesta të ketë një përfaqësi.
Po ashtu, sot protestuesit mbajtën edhe një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të luftës së Kosovës. Më 12 qershor 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe, trupat e Aleancës Veri-Atlantike hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës.
Organizatorët njoftuan gjithashtu se protesta e së shtunës pritet të jetë mbarëkombëtare, ndërsa sipas deklarimeve të bëra në tubim, në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe pjesëmarrës nga diaspora, përfshirë tre avionë me shqiptarë nga Britania e Madhe.





