– Në 6-mujorin 2014, Shqipëria importoi nga Rusia rreth 41 milionë euro, kryesisht grurë, por janë tejet të papërfillshme eksportet shqiptare në Rusi për të njëjtën periudhë – vetëm 65 mijë euro; “golaverazhi” tregtar është Shqipëria 1: Rusia 628.5!
DURRËS, 9 gusht 2014 – Sipas raportit ditor të anijeve të mallrave hartuar nga dispeçeria e portit të Durrësit (shih faksimilen për datën 9 gusht 2014), pritet që të vijë më 11 gusht 2014 anija Volga 4009 (në foto) me flamur panamez, por në pronësi dhe menaxhim të një kompanie ruse në veri, me seli në Peterburg, Onegoship – Petrozavodsk dhe ndërtuar në vitin 1990 në kantierin rus Krasnoye Sormovo Shipyard – Nizhniy Novgorod.
Anija e mallrave gjenerale Volga 4009, që ka prekur disa herë portin e Durrësit, si njëfarë transportuesi linje (liner), do të shkarkojë 5 058 tonë grurë të paambalazhuar (rinfuso) në kalatën nr. 4 (Terminali Perëndimor, publik).
Anija është nisur nga porti ukrainas Izmail, më 29 korrik 2014 ora 7:16 sipas orës vendore, ka shkuar në portin rus të Taganrog-ut në detin Azov, më 1 gusht 2014, ora 17:41 dhe ka dalë nga ky port më 3 gusht 2014 ora 21:23; më 7 gusht 2013 kaloi transit në Stamboll të Turqisë në orët 5:24-6:54, kurse Çanakala-në mbërriti më 8 gusht 2014 ora 2:43 dhe në orën 16:00 (ora e Shqipërisë) të datës 9 gusht 2014 ndodhej në jug të Greqisë në koordinatat 36.36643 V 22.50417 L (shih faksimilen e hartës).
Info
Sikurse është bërë e njohur, Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të BE-së, SHBA-së, Kanadasë etj. ndaj Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në kufirin me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Moska ka vënë sanksionet e saj ndaj këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, për sa u përket importeve ushqimore prej tyre dhe i intereson të eksportojë drithëra.
Sipas INSTAT-it, Shqipëria importoi nga Rusia 5 miliardë 657 milionë mallra (rreth 41 milionë euro), kryesisht grurë, në 6-mujorin 2014, por janë tejet të papërfillshme eksportet shqiptare në Rusi për të njëjtën periudhë – vetëm 9 milionë lekë (65-66 mijë euro); “golaverazhi” tregtar është Shqipëria 1: Rusia 628.5!
Autoritetet e Tiranës zyrtare nuk po hetojnë për shkeljen e embargos.
Dogana, para se të merret me kontrabandën e çikërrimave, ka detyrim ligjor të njoftojë opinionin publik për subjektet që nuk respektojnë angazhimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





