Këshilltarja e kryeministrit të dorëhequr të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla ka bërë një status në Facebook pak para se Ramush Haradinaj të niset për në Hagë.

Ajo shkruan  se Ramushi qëndroi stoikisht ndaj ndarjes së Kosovës mbajtjes për taksën etj. .

POSTIMI I PLOTË

Kryeministër,

Të pashë teksa u acarove kur ta përmendën për herë të parë në zyrën tënde ndarjen e Kosovës;

Të pashë teksa ia the troq, tejskajshmërisht i irrituar, atij që për herë të parë ta përmendi ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve – që nuk është më i mirëseardhur në zyrën tënde;

T’a njoha dhimbjen kur ishe i vetëm në luftën për mosdorëzimin e sovranitetit të Kosovës te Serbia;

Isha aty kur iu the të gjithëve që për Ushtrinë e Kosovës nuk do të vendoset në tavolinën dialoguese me Serbinë, as për Trepçën, as për tregun e Kosovës;

Të pashë kur t’i ngulën ‘thikat në shpinë’ ata prej të cilëve nuk e prisje, por nuk tu tremb syri as goja për t’i përballë me të vërtetën.

Çfarëdo të jetë epilogu i shkuarjes sate të sotme në Hagë, prapa na ke, si ushtarë politikë, luftëtarë të paqes, në rresht, duke shtyer përpara kauzën tënde për t’a bërë Kosovën ashtu siç na e lanë amanet të parët tanë. Për Kosovën shtet – të pandashëm, unik, që qëndron e fortë vertikalisht në këmbët e saj.

Na e the sot, që vetëm ata që qëndrojnë stoik për shtet e popull, do të dalin fitues! Kosova jonë e ka fitoren në derë!

Faleminderit dhe Mirupafshim së shpejti në Kosovë, Kryeministër!