Tifozët shqiptarë pushtojnë Lens-in.
Që në orët e mbrëmjes së të premtes, dhjetëra shqiptarë kanë vërshuar në rrugët e Lens-it, duke nisur që një ditë më përpara mbështetjen për ekipin kombëtar.
Me makina, flamuj, shaje e fanella të kombëtares, të zhurmshëm siç dimë të jemi, shqiptarët kanë vërshuar në rrugët e qytetit ku Shqipëria do të bëjë debutimin e saj absolut në një Europian.
Në rrugë kanë dalë pas fitores së Francës edhe tifozët vendas, që kanë nisur të festojnë për suksesin e Deschamps-it, megjithatë, prezenca e të dy tifozerive pranë njëra-tjetrës nuk ka krijuar asnjë lloj problemi dhe gjithçka ka kaluar në një frymë festive.
Flamurët e Shqipërisë dhe Zvicrës janë vendosur në pozicionet e përcaktuara nga rregullorja e UEFA-s. Ndërkohë po i jepet dora e fundit ambienteve të brendshme dhe zonës së rezervuar për mediat që do të transmetojnë në çdo skaj të botës këtë sfidë.
“Stade Bollaert Deleis” ka një kapacitet prej 35 mijë spektatorësh dhe është ndërtuar në vitin 1933, teksa priten shumë tifozë kuqezi duke parë edhe distancën jo të largët me Belgjikën ku ka shumë bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë.





