Një tifoz i Anglisë, duke u hequr si berber, ka arritur të kalojë filtrat e sigurisë në hotelin ku akomodohej kombëtarja e “Tre Luanëve” përpara ndeshjes me Italinë dhe ka hyrë lehtësisht në dhomën e dyshes së sulmit të Junajtid, Xhesi Lingard dhe Markus Rashford.

Duke u hequr si një berber, ai ka filmuar veten ndërsa troket në derën e dhomës së hotelit të kombëtares angleze “The Grove” dhe u thotë dy futbollistëve se ishte shërbimi i hotelit. Në videon e publikuar nga “The Sun”, personi në fjalë troket në derën e dhomës me fjalët “shërbimi i dhomës zoti Lingard”.

Futbollisti e fton të hyjë dhe tifozi, pasi i jep dorën Lingardit, ai ulet në karrige dhe qëndron për 10 minuta me ta, edhe duke i fotografuar. Policia tha se nuk ka nisur një hetim për këtë rast, pasi nuk kishte asnjë denoncim nga futbollistët apo federata angleze.