Skuadra e Tiranës në basketboll për femra është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 73-57 në finale ndaj Goga Basket, takim që u luajt në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet. Një ndeshje finale mjaft e bukur, me rivalitet për 30 minuta, por e fituar me meritë në fund nga basketbollistet bardheblu, të drejtuara nga trajneri Roland Avrami.

Pas një pjese të parë me luhatje, ku herë udhëheq Tirana e herë Goga Basket, në të dytën vjen dominimi i skuadrës kryeqytetase, një ekip më i kompletuar dhe që falë një stoli më të fuqishëm arriti të mposhtë durrsaket.

Një triumf që konfirmoi pretendimet e Tiranës këtë sezon për t’i fituar të gjitha trofetë, ku edhe pse e treta në kampionat, falë përforcimeve të kryera në merkaton e dimrit arrin të triufmojë në Kupë (dje bardheblutë eliminuan kampionet vlonjate). Ndeshja nis e shpejtë për Tiranën, e karikuar pas fitores ndaj Flamurtarit, duke u shkëputur shumë shpejt 16-6 ndaj Goga Basket, që vuan shumë në minutat e para të takimit.

Diferenca thellohet deri në 13 pikë, me bardheblutë që udhëheqin 24-11 dhe mbyllin periodën e parë në epërsi 28-19. Kur mendohej një thellim i diferencën ndodh e kundërta, pasi durrsaket nisin të rikuperojnë gradualisht, përfitojnë nga një përgjumje e Tiranës, duke ngushtuar shifrat dhe barazuar ato 30-30. Madje Goga arrin për një moment të udhëheq 36-38, duke e bërë mjaft interesante sfidën.

Gjithsesi, Tirana rikuperon dhe udhëheq 42-40 në mbyllje të 20 minutave të para. Por Tirana nuk përsërit më të njëjtët gabime dhe në periodën e tretë rikthehet superiore në fushë, duke nisur shkëputjen e dytë në këtë sfidë.

Te Goga Basket ndihet mungesa e stolit, ndërkohë që dëmtohet edhe Lalaj në periodën e dytë, ndaj trajneri Driza ka vetëm 6 lojtarë në dispozicion. Kjo bën që lodhja nis të ndihet te durrsaket, që humbasin terren, ndërsa Tirana shkëputet 61-49.

Asgjë nuk ndryshon në periodën e katërt, me Tiranën që komandon lojën dhe administron avantazhin e krijuar, duke mos i dhënë asnjë mundësi ekipit durrsak të rikuperojë, ndërkohë që skuadrat duket se e kanë pranuar fatin e takimit.

Edhe pse McRoi tenton të mbajë në lojë durrsaket, e vetme e ka të pamundur të përballojë lojën e Bujarit, Milovanovic, Xhanajt etj., që nuk tolerojnë dhe janë më të mirat në fushë, duke i dhënë fitoren skuadrës së Tiranës.

Minutat e fundit nuk sjellin asnjë surprizë, me Tiranën që fiton 73-57 dhe nis festën, duke ngritur lart trofeun e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë rikthehen te trofeu pas 6 vitesh, teksa në vitin 2012 patën fituar po Kupën e Shqipërisë, duke konfirmuar pretendimet e këtij sezoni.