Futbolli nuk është aritmetikë. As shkencë ekzakte. Është një lojë, pjesa më e bukur e së cilës mbetet elementi surprizë. Llogaritë në letër jo gjithmonë dalin dhe është fatale të mendosh për fitore të sigurt ende pa luajtur. Këtë e konfirmoi edhe një herë Teuta. Pika e marrë ndaj Skënderbeut prishi llogaritë e kampionëve, në garën drejt titullit. Me grintë, lojë cilësore dhe dëshirë, skuadra e Gugash Maganit ndali marshimin e korçarëve, që pas pesë fitoreve radhazi ishin kthyer në krye, përkrah Kukësit.

Me atë që shfaqi në fushë, Teuta mund edhe të kishte fituar përballë një kundërshtari në letër më të fort. Megjithatë, durrsakët treguan se kanë një skuadër cilësore, që nuk e meriton të jetë në zonën e mbijetesës.

Te Skënderbeu qajnë dy pikë të humbura, që mund të peshojnë në bilancin final të kampionatit, pavarësisht se gara për titullin mbetet e gjatë dhe në lojë janë ende edhe 36 pikë.

Në vorbullën e llogarive që nuk dalin e sheh veten edhe Tirana. Ndaj Korabit ishte shansi më i mirë për të gjetur fitoren e parë në kampionat për vitin 2017. Një mundësi e humbur për të rikthyer qetësinë në radhët e bardhebluve. Me barazimin 1-1 ndaj Korabit kryeqytetasit mbeten në vendin e pestë me 29 pikë.

Vendi i katërt në renditje është aty, ashtu sikundër diferenca nga skuadrat që luftojnë për mbijetesën nuk të jep kohë për tu qetësuar. Dy shembuj që fitorja duhet kërkuar, por mbi të gjitha duhet merituar në fushë. Sepse në futboll vetëm llogaritë me laps në dorë nuk mjaftojnë.