Tiranë, 9 maj 2014 – Një fëmijë 10 vjeçar ka denoncuar në polici nënën e tij, pasi ajo e shqetësonte duke i telefonuar disa herë në ditë. Denoncimi i çuditshëm është bërë dje në komisariatin e policisë nr.3, në Tiranë. 10-vjeçari me inicialet D.Gj ka deklaruar në polici se shqetësohej nga nëna e tij nëpërmjet telefonit. Gjatë denoncimit të tij në polici, 10 vjeçari ishte i shoqëruar nga babai i tij.
“Mami më telefonon pothuajse gjithë ditën duke më shqetësuar. Nuk mund të duroj dot më”, ka deklaruar në polici i mituri i cili më herët i ishte ankuar babait. Ky i fundit e ka drejtuar atë për në komisariat me qëllim që të denonconin nënën, shtetasen K.Gj.
Burime nga policia thanë se prindërit e të miturit ishin divorcuar pak kohë më parë, por konfliktet për të mbajtur djalin ishin ende të hapura. 10-vjeçari kishte vendosur të qëndronte me babain, por nëna e tij e telefononte vazhdimisht duke i kërkuar që të jetonte me të.
Ndërkohë nëna e 10 vjeçarit ka deklaruar në polici se nuk ka pasur për qëllim të shqetësojë të birin, por ka tentuar ta bindë atë që të kthehet tek ajo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





