Një ish-oficer i ushtrisë ruse ka pranuar se trupat e presidentit Putin torturuan dhe përdhunuan të burgosurit e luftës ukrainase.

Toger Konstantin Yefremov, tregoi për BBC-së se të burgosurit u qëlluan dhe u rrahën në një vend në rajonin Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore.

Ai ka folur për shokët e tij që plaçkitën zonat e pushtuara të Ukrainës dhe përshkroi seancat brutale të marrjes në pyetje, të udhëhequra nga një kolonel rus.

Më 10 shkurt 2022, Yefremov thotë se mbërriti në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia nëntë vjet më parë. Ai ishte kreu i një njësie të çminimit të Divizionit të 42-të të pushkëve të motorizuara dhe zakonisht ishte i vendosur në Çeçeni, në Kaukazin e Veriut të Rusisë.

Yefremov dhe njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në “stërvitje ushtarake. Në atë kohë askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë mendonin se kjo ishte vetëm një stërvitje. Jam i sigurt se as oficerët e lartë nuk e dinin.”, ka thënë më tej.

Po ashtu ka treguar se njëri iu nënshtrua ekzekutimit të simuluar, ndërsa një tjetër të burgosuri i kishte rënë dhëmbët, si pasojë e torturave të mëdha.

“Marrjet në pyetje apo torturat vazhduan për rreth një javë. Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”, tha Yefremov.  Ndër të tjera shtoi se disa ushtarë të tjerë rusë ishin përpjekur të ndihmonin të burgosurit ukrainas, tha ai për BBC .

“Ne e veshëm atë me një uniformë ruse dhe e çuam në spital dhe i sugjeruam të mos tregojë se është rob lufte ukrainas, sepse mjekët do të refuzonin ta trajtonin, ose do ta plagosnin”.

Sakaq është shprehur i penduar për veprimet e Rusisë në Ukrainë.

“I kërkoj falje gjithë kombit ukrainas që erdha në shtëpinë e tyre si një mysafir i paftuar me një armë në duar. Nuk kam as të drejtën morale të kërkoj falje nga ukrainasit. Unë nuk mund ta fal veten, kështu që nuk mund të pres që ata të më falin.”, ka thënë ndër të tjera ai.