Për ish-kryetaren e Kuvendit dhe ish-nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli përdorimi politik i drejtësisë kundra opozitës së një vendi, e veçanërisht kundra kryetarit të opozitës dhe familjarëve të tij është hapi më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit.

Nga ana tjetër, Topalli e shikon me optimizëm këtë akt të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa shprehet se kjo mund të kthehet dhe si hap vendimmtar për të ndryshuar situatën nga një shtet i korruptuar dhe i kriminalizuar në një vend që interesim publik e ka të shenjtë.

“Përdorimi i kërcënimit, ndalimit, arrestimit apo ndalimit të lëvizjes ndaj kryetarit të opozitës dhe familjes se tij është një praktikë ekstreme, që dhunon në mënyrë ekstreme të drejtat e njeriut, minon demokracinë dhe stabilitetin e një shoqërie.

Kjo praktikë përdoret nga regjimet autoritare, apo grupe ekstreme, që kërkojnë të shtypin opozitën politike të një vendi.

Në shtetin e prokurorëve qesharakë, ndodh që të urdhërojnë ndalimin e lëvizjes së deputetit, pa lejen e parlamentit, në shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, si një kapërcim i pafalshëm i shtetit të së drejtës dhe si fakt i qartë i zbatimit të urdhërave politik.

Përdorimi politik i drejtësisë kundra opozitës së një vendi, e veçanërisht kundra kryetarit të opozitës dhe familjarëve të tij është hapi më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, por mund të kthehet dhe si hap vendimtar për të ndryshuar situatën nga një shtet i korruptuar dhe i kriminalizuar në një vend që interesim publik e ka të shenjtë”, shprehet Jozefina Topalli.