Gjermania ka refuzuar të ekstradojë në Britani një shqiptar të akuzuar për trafik droge, pasi avokati i tij arriti të bindë gjykatën se kushtet e sistemit të burgjeve angleze janë aq të këqija sa do të cënonin të drejtat e tij njerëzore. Vendimi cilësohet i paprecedentë nga mediat britanike të cilat thonë se ky është rasti i parë që një gjykatë artikulon një aktakuzë të ashpër ndaj sistemit të burgjeve në vend.
Rasti bën fjalë për një shqiptar, i cili ndërsa jetonte në Britani u përball me akuzat për trafikimin e 5 kg kokainë dhe pastrimin e një shume prej rreth 330 mijë paund. Arrestimi i shqiptarit ndodhi në Gjermani ku ai udhëtoi për të vizituar të fejuarën e sëmurë. Gjykata e VVestminster lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj shqiptarit dhe më pas kërkoi ekstradimin e tij.
Kërkesa u shqyrtua nga Gjykata Rajonale e Karlsruhe-s e cila para se të merrte vendimin shtroi disa pyetje specifike për autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me kushtet e burgut ku pritej të mbahej personi për të cilin kërkohej ekstradimi.
Kërkesa e parë nga gjykata mori përgjigje nga një stacion policie në Mançester që thoshte se 20 mijë qeli të reja ishin në ndërtim e sipër për të adresuar çështjen e mbipopullimit.
Avokati i mbrojtës i shqiptarit, Jan-Carl Janssen argumentoi se një nga paraburgimet në Londër, ku shqiptari kishte të ngjarë të mbahej pas ekstradimit në Mbretërinë e Bashkuar, ishte me kapacitet 160 për qind.
Sipas avokatit, ne burgjet britanike një tjetër problem ishte dhuna e përhapur mes të burgosurve dhe mungesa e stafit. Gjykata bëri një kërkesë të dytë për garanci se të ekstraduarit do ti plotësoheshin kushtet minimale, por nuk mori përgjigje. Përfundimisht, trupi gjykues në mars të këtij viti, vendosi se ekstradimi i shqiptarit në Britani ishte ‘aktualisht i papranueshëm’.