Një tragjedi tjetër është regjistruar në Detin Mesdhe, ku një varkë me emigrantë është mbytur pranë brigjeve të Libisë lindore.
Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 17 emigrantë sudanezë kanë humbur jetën, ndërsa nëntë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, pasi një varkë që transportonte gjithsej 33 persona u përmbys pranë qytetit të Tobrukut.
Vetëm shtatë persona besohet se kanë arritur të mbijetojnë, sipas një njoftimi të publikuar në rrjetin social X nga agjencia e OKB-së për refugjatët.
Sipas rindërtimeve paraprake, varka ishte nisur nga Tobruku me destinacion Greqinë, por u përmbys rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit. Ende nuk dihet me saktësi momenti kur ndodhi aksidenti.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) bëri të ditur se të mbijetuarit kishin kaluar ditë të tëra në det të hapur përpara se të shpëtoheshin. Disa prej emigrantëve humbën jetën për shkak të urisë dhe etjes.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u realizuan nga Marina Libiane, Roja Bregdetare dhe Gjysmëhëna e Kuqe Libiane, ndërsa kërkimet për personat e zhdukur vijojnë.





