Nga Dr. Bledar Kurti
Tre vogëlushë u goditën nga një shofer i dehur. Dy prej tyre nuk jetojnë më. Një tjetër lufton për jetën. Këto nuk janë thjesht statistika që do të harrohen pas disa ditësh zhurme mediatike. Janë jetë të këputura brutalisht, familje të shkatërruara përgjithmonë dhe një shoqëri që duhet të pyesë veten: sa herë do të përsëritet kjo skenë para se të reagojmë seriozisht?
Ky nuk është vetëm faji i një individi. Po, ai duhet të përballet me drejtësinë në mënyrën më të ashpër të mundshme. Por përgjegjësia nuk mbaron aty.
Është përgjegjësi e çdo qytetari që ende e konsideron “normale” të ulet në timon pas konsumit të alkoolit. Është përgjegjësi e atyre që heshtin, që shohin dhe nuk reagojnë, që lejojnë miqtë, familjarët apo kolegët të drejtojnë mjetin në gjendje të dehur. Ështê përgjegjësi e atyre që përdorin aparatet celulare teksa ngasin automjetin. Heshtja në këto raste nuk është neutralitet, është bashkëfajësi.
Është përgjegjësi e organeve ligjzbatuese. Sa kontrolle reale kryhen? Sa shoferë ndalohen para se të ndodhë tragjedia dhe jo pas saj? Prania në rrugë nuk duhet të jetë simbolike, por parandaluese dhe e pandërprerë. Nuk mund të kemi kontrolle sporadike dhe më pas të tronditemi nga pasojat.
Është përgjegjësi e shtetit dhe legjislacionit. Kodi penal dhe ai rrugor duhet të forcohen ndjeshëm. Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur që shkakton humbje jete nuk mund të trajtohet si një shkelje e zakonshme. Dënimet duhet të jenë shembullore, pa hapësira për shmangie, pa zvarritje procedurash, pa tolerancë.
Por ligji, sado i fortë, nuk mjafton nëse infrastruktura vazhdon të jetë e mangët.
Ku janë hapësirat e sigurta për fëmijët? Ku janë parqet e mbrojtura, trotuaret funksionale, sinjalistika e qartë dhe ndriçimi i duhur? Në shumë zona, rruga është një rrezik i përditshëm, jo një hapësirë e rregulluar. Fëmijët nuk duhet të paguajnë me jetë mungesën e investimeve dhe planifikimit urban.
Kjo tragjedi duhet të jetë një vijë ndarëse. Autoritetet duhet të veprojnë tani, jo me deklarata, por me masa konkrete: Kontrolle të përditshme dhe të papritura për drejtuesit e mjeteve; Testime të detyrueshme për alkool në pika kyçe; Rritje drastike të dënimeve për shkelësit; Investime emergjente në sinjalistikë, ndriçim dhe mbrojtje të këmbësorëve; Krijim dhe mirëmbajtje të hapësirave të sigurta për fëmijët. Dhe mbi të gjitha: zbatim pa kompromis.
Sepse çdo ditë vonesë është një rrezik i ri. Çdo tolerancë është një ftesë për tragjedinë e radhës.
Nuk mund të mësohemi me këtë. Nuk duhet ta pranojmë si realitet.
300 aksidente kanë ndodhur në tremujorin e parë të këtij viti në Shqipëri. Nuk vlejnë fjalët e keqardhjes e as emocionet e trishtimit por vlen marrja e masave urgjente.
Dy fëmijë humbën jetën dje. Nuk kemi të drejtë t’i harrojmë. Nuk kemi të drejtë të vazhdojmë njësoj si më parë.
Nëse kjo ngjarje nuk na zgjon të gjithëve, atëherë problemi është shumë më i thellë se një shofer i dehur.
Kush merr një jetë merr një botë të tërë. Dje u morën dy jetë që sapo kishin nisur të lulëzonin. U shuan dy botë, për familjet dhe për të gjithë ne. Fajtori ishte një por dështimi është i të gjithëve.
Zgjohuni. Veproni. Kryeni detyrën funksionale dhe atë qytetare. Mbroni fëmijët. Mbroni jetën.





