Klubi i Union Berlinit ka marrë sot një vendim historik, pasi ka vendosur që t’i besojë një trajnereje pankinën deri në fund të sezonit në Bundesligë, duke shënuar herën e parë që një gjë e tillë ndodh në një nga 5 kampionatet e mëdha në Europë. Humbja 3-1 përballë Haidenhajm dhe situata e komplikuar në renditje me rrezikun real të rënies nga kategoria, kanë shtyrë Union Berlin që të marrë këtë vendim duke shkarkuar trajnerin Stefen Baumgart, për t’i besuar skuadrën trajneres Mari-Luise Eta deri në fund të sezonit.

Ajo drejtonte ekipin U19 të Union Berlin, por i është besuar ky rol deri në mbyllje të sezonit, pas të cilit ajo do të ulet në pankinën e skuadrës së femrave të klubit të njohur gjerman. “Situata jonë është e vështirë dhe kemi një nevojë urgjente për pikë për të siguruar qëndrimin”, tha drejtori i klubit, Horst Held. “Dy fitore në 14 ndeshje që nga pauza dhe paraqitjet e javëve të fundit nuk na japin besimin që situata do të kthehet me tablonë aktuale. Ndaj vendosëm ta nisim nga e para.

Jam i lumtur që Mari-Luise Eta pranoi të merrte këtë rol të përkohshëm para se të bëhej trajnerja e ekipit të femrave në verë, siç kishim rënë dakord”. “Jam e lumtur që klubi më besoi këtë detyrë të vështirë. Një nga pikat e forta të Union ka qenë dhe mbetet aftësia për të qëndruar të bashkuar në situata si kjo. Dhe natyrshëm, jam e bindur se me skuadrën do të marrim pikët thelbësore që na duhen”, tha trajnerja 34-vjeçare e cila në të kaluarën ka drejtuar ekipet kombëtare të Gjermanisë.