Sekuestrimi i 613 kilogramëve kokainë e ardhur në Durrës nga Kolumbia në një kontejner, është komentuar nga analisti Mentor Nazarko, i cili në një analizë për Konica.al, thekson se tre momente të rëndësishme që kanë çuar në ndalimin e kësaj sasie të madhe droge, janë: 

  1. Vendosja e Fatmir Xhafajt në krye të ministrisë së Brendshme.
  2. Nisja e Reformës në Drejtësi.
  3. Pritja për hapjen e negociatave me BE-në.

PJESË NGA ANALIZA

Operacioni i kokainës është me domethënie të jashtëzakonshme. Nëse do analizojmë arsyet do mbështetemi te konteksti kur ka ndodhur ky operacion. Në krye të Ministrisë së Brendshme është vendosur Fatmir Xhafaj, ky është momenti i parë që duhet evidentuar. Momenti i dytë është fillimi i Refomës në Drejtësi. Ky është një moment që ka rritur besimin e prokurorëve të ndershëm që mund të punojnë pa u shqetësuar nga politika për ndjekjen e kriminalitetit. Momenti i tretë që duhet theksuar është fakti që Shqipëria është duke pritur që të marrë dritën jeshile nga Këshilli Evropian për të çelur negociatat.

Vlerësimi ndërkombëtar i Shqipërisë rritet. Ai rritet edhe për një arsye tjetër. Siç e ka konfirmuar edhe Antimafia italiane, është një operacion i kryer ekskluzivisht nga policia shqiptare. Krejt ndryshe nga sa tha policia shqiptare. është një operacion që dëshmon një stad të ri bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë. Ka edhe më shumë se kaq që duhen thënë. Është krejt e qartë që kur goditet një sasi, më e madhja e kokainës, droga ka ardhur edhe më parë në Shqipëri. Nuk kanë pritur çeljen e negociatave, as vizitën e Juncker në rajon. Droga ka ardhur ka shumë shpesh.

Ka një moment tjetër që duhet thënë: trimërimi i policisë dhe prokurorisë kundër krimit të organizuar. Është ky moment që e kanë evidentuar Lu dhe Vlahutin si për të thënë që ne bashkë e mbështesim Shqipërinë. Policia, Prokuroria dhe shteti në përgjithësi po trimërohet përballë krimit të organizuar.