Vera është stina ku trupi ka më shumë nevojë për hidratim, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e dehidratimit, i cili shoqërohet me lodhje, dhimbje koke, lëkurë të thatë dhe probleme me tensionin. Përveç ujit, disa ushqime sezonale janë aleatë të fuqishëm për të mbajtur trupin të hidratuar.

Sipas ekspertëve, këto janë tre nga ushqimet më të pasura me ujë që nuk duhet të mungojnë në tryezën tuaj gjatë verës:

1. Kastraveci – 95% ujë

Ky perim freskues përbëhet pothuajse tërësisht nga ujë dhe ka shumë pak kalori – vetëm 8 për një porcion prej 52 gramësh. Përveç hidratimit, kastraveci furnizon trupin me vitaminë K, kalium dhe magnez.

2. Kungulli – 94% ujë

Kungulleshkat janë gjithashtu të pasura me ujë dhe shumë të dobishme për trupin. Një filxhan kungulleshka (124 g) ka vetëm 20 kalori, por mbulon 35% të nevojave ditore për vitaminë C, duke përforcuar sistemin imunitar dhe shëndetin e lëkurës.

3. Domatja – 94% ujë

Një domate mesatare siguron rreth 118 ml ujë dhe është një burim i mirë i vitaminave A dhe C. Ajo përmban gjithashtu likopen, një antioksidant i fuqishëm që mbron zemrën dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike, përfshirë kancerin.