Importi i karburanteve në Shqipëri ka shënuar rënie gjatë muajit prill të vitit 2026, ndërsa ndikimi kryesor lidhet me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare si pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe luftës mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas të dhënave mbi mallrat kryesore të akcizës, gjatë muajit prill në vend u importuan 52,050 ton karburante, nga 60,770 ton që ishin importuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përkthehet në një rënie prej rreth 14% në baza vjetore.
Rënie është regjistruar edhe në totalin e katërmujorit të parë të vitit. Nga janari deri në prill 2026 janë importuar 207,718 ton karburante, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin importuar 219,448 ton, ose rreth 5.3% më pak.
Ekspertët e lidhin këtë tkurrje me çmimet e larta të naftës në tregjet globale, të ndikuara nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit gjatë përplasjes SHBA-Iran.
Në muajin prill, çmimi i naftës mbeti në nivele të larta, pasi negociatat për një marrëveshje mes palëve nuk dhanë rezultat konkret, duke mbajtur të lartë pasigurinë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ndërkohë, gjatë muajit maj situata ka ndryshuar pjesërisht. Armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, si edhe sinjalet për një marrëveshje të mundshme, kanë sjellë ulje të çmimeve të naftës nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi dhe rritje të tregjeve aziatike të aksioneve.
Edhe pse Shqipëria nuk ndikohet drejtpërdrejt nga aktiviteti në Ngushticën e Hormuzit, zhvillimet në ekonominë globale reflektohen te çmimet dhe konsumi i karburanteve në tregun vendas. Një marrëveshje që do të garantonte rihapjen e plotë të Hormuzit pritet të ndikojë në stabilizimin e tregjeve dhe rritjen e kërkesës për karburante.





