Ndërhyrjet estetike janë bërë një zgjidhje për të përmirësuar pamjen fizike dhe për të rritur vetëbesimin. Megjithatë, kohët e fundit është vënë re që njerëzit po drejtohen drejt ndërhyrjeve më të përmbajtura që tentojnë të ruajnë pamjen natyrale të individit.

Këtë e thonë ekspertët e fushës në Britaninë e Madhe të cilët shprehen se edhe vajzat e gratë duan të ruajnë pamjen natyrale, por duke bërë disa përmirësime.

Vithet e mëdha, gjoksi i madh dhe buzët e fryra të cilat u bënë trend nga një grup personazhesh të njohur si Kim Kardashian dhe familja e saj, tashmë po lihen pas.

Duket se një epokë e re ka filluar dhe të gjitha këto tendenca janë braktisur sepse natyraliteti po kërkohet më shumë. Disa aplikime estetike po konsiderohen të vjetra tashmë dhe gjithmonë e pak po bëhen operacione që shkojnë përtej pamjes natyrale.

“Po shohim një trend të vërtetë edhe në Hollivud por edhe në përgjithësi ku gjithnjë e më shumë njerzit janë larg tërheqjes së tepruar të fytyrës apo buzëve shumë të fryra. Një tendencë që shkon drejt një pamje shumë më natyrale dhe ndërhyrjeve estetike shumë të moderuara”, tha mjekja Leah Totton.

Dr Leah Totton, e cila zotëron tre klinika kozmetike në Mbretërinë e Bashkuar shpjegon se trajtimet kundër plakjes janë ato më të preferuarat dhe që kërkohet nga klientët.

“Botoksi mbetet trajtimi ynë më i preferuar. Botox ka qenë trajtimi më i përhapur për 11 vite gjatë ekzistencës së klinikave tona. Është trajtimi jokirurgjikal më popullor në mbarë botën dhe mbetet për ne trajtimi që bëhet më shumë nga klientët tanë”, tha Totton.

Por cilat janë trajtimet e tjera estetike që preferohen aktualisht?

“Trajtimet që janë vërtet të njohura në klinikë janë ato që ju ndihmojnë të jeni versioni më i mirë i vetes, në krahasim me ndryshimin rrënjësor të pamjes tuaj. Pra, trajtime të tjera që ne bëjmë përfshijnë polinukleotidet dhe Morfiseit, që është një procedurë që nxit kolagjenin për të përmirësuar pamjen tuaj në një mënyrë natyrale”, thotë Totton.

Një tjetër trajtim që ofrohet për klientët është edhe Emface, procedura e parë dhe e vetme pa gjilpëra që trajton njëkohësisht lëkurën dhe muskujt e fytyrës në një seancë 20-minutëshe.

“Unë kam bërë Botox për rreth 15 vjet, në fillim ishte i mrekullueshëm, por tani mendoj se në fakt po më bën të dukem më e vjetër sepse e kam bërë shumë shpesh dhe muskujt e mi nën sy janë dobësuar shumë, kështu që tani botoxi thjesht nuk po funksionon më. Kështu që shpresojmë që Emface do të përmirësojë rrathët e syve dhe do të mundem të bëj përsëri Botox”, thotë Elaine Gill.

Mjekja Elah Totton shpjegon se procedura Emface ka filluar të jetë shumë e njohur në mesin e personazheve të njohur.

“Ky është një trajtim joinvaziv. Do t’ju japë një lehtësim të menjëhershëm, kështu që është shumë i preferuar në klinikën time, para çdo eventi të rëndësishëm , dhe shpesh do të shihni personazhe të famshëm në tapetin e kuq që kanë fytyrë të skalitur dhe Emface do t’ua japë atë lloj pamje”, tha Totton.

Por kush është personazhi i famshëm që ka bërë ndërhyrjet më të mira estetike sipas mjekes britanike?

“Brad Pitt. Unë mendoj se Brad Pitt duket i mrekullueshëm. Mendoj se ai është një shembull i vërtetë i një personi që në fakt, megjithëse duket i ri për moshën që ka të jep ndjesinë sikur nuk është sforcuar shumë për ta arritur këtë. Mendoj se ai është një shembull i personi që po plaket vërtet shumë mirë”, tha Totton.

Ndërkohë, Ashley Stobbart, një specialiste britanike e lëkurës, dhe pronare e markës së bukurisë Cosmetic Consult thotë se aktoret Demi Moore dhe Lindsay Lohan janë yjet e shoubizit që ajo mendon se duken shumë mirë.

“Demi Moore është mahnitëse. Çfarëdo që ka bërë edhe aktorja tjetër Lindsay Lohan, më duket fansatstike në pamje. Është figura femërore më e mirë që kam parë për një kohë të gjatë”, tha dermatologia Ashley Stobbart.

Stobbart tha gjithashtu se asaj i pëlqen mënyra se si aktorja Pamela Anderson ka ndaluar së vëni grim.

“Mendoj se edhe Pamela Anderson është shembulli i vërtetë i bukurisë natyrale. Më pëlqen që ajo nuk po grimohet më që pas vdekjes së grimierit të saj. E vlerësoj shumë këtë gjë ashtu si edhe përpjekjet e grave për të rregulluar flokët çdo mëngjes dhe për të bërë një grim të mirë”, tha Stobbart.

Sipas specialistes falë trajtimeve të fytyrës nevoja për të vendosur grim është ulur gjinjë e më shumë.

“Njerëzit po përdorin më shumë polinukleotide dhe po bëjnë më shumë trajtime në shtëpi për tu siguruar që lëkura të jetë më e shndërritshme, prandaj nuk është më aq e nevojshme për te vendosur më shumë grim siç bëhej më parë”, tha Stobbart.

Kur e pyesin për ndëryrjet e veta estetike të cilat i kanë kushtuar mijëra Dollarë, Stobbart thotë se e bën për të patur më shumë vetbesim e për tu ndjerë mirë me veten.

“E gjitha kjo ka të bëjë më vetbesim. Nëse do të më pyesnin pse po i shpenzon të gjitha këto para? Pse po shpenzon kaq shumë kohë, energji në të gjitha këto trajtime? Sinqerisht, nuk po e bëj për askënd tjetër përveç vetes. Pra, kur dukem mirë, ndihem mirë. Kur ndihem mirë, gjithçka është në rregull”, tha Stobbart.

Tani në moshën 35-vjeçare Stobbart thotë se i vjen keq që ka bërë Botox kur ishte 20 vjeçe dhe tani koncepti i saj për bukurinë ka ndryshuar.

Ajo thotë se në rininë e saj u ndikua nga disa personazhe të njohur për të bërë disa ndërhyrje estetike.

“Kur po filloja që të rritesha e pëlqeja shumë pamjen e Pamela Anderson. Sigurisht kam patur edhe Katie Pirce, ndërsa tani kemi familjen Kardashian të cilët kanë standartin e tyre të bukurisë. Mendoj se tani nuk duam të jemi më si të tjerat por si vetja dhe kjo është gjëja më e mirë. Duam vetëm të përmirësojmë veten”, tha Stobbart.

Të famshmit përcaktojnë pothuajse gjithmonë tendencat më të fundit të trajtimeve estetike deri tek grimi që përdorin në evente të rëndësishme.