ELBASAN – Persona të panjohur vendosën një sasi eksplozivi në një dyqan hidrosanitaresh, në një nga lagjet kryesore të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të mbrëmjes së të martës, në një dyqan të ri hidrosanitaresh në lagjen “28 Nëntori”, në vendin e quajtur “Ura e Zaranikës”. 

Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm, duke shkaktuar jo vetëm dëme të konsiderueshme por dhe panik në familjet që banojnë në zonën përreth. Burimet zyrtare të policisë së Elbasanit nuk bëjnë të ditura detaje rreth ngjarjes, por paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë konkurrenca. 

Dyqani i shkatërruar me tritol është në pronësi të biznesmenit Ilir Dushku dhe i ishte dhënë me qera një shtetasi tjetër, për tu përdorur prej tij për tregtimin e hidrosanitareve. 

Nga ana e saj policia ka bërë të ditur se po punon intensivisht për zbulimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi, që fatmirësisht nuk shkaktoi dëme në njerëz.