Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur ish ndihmësin e tij, Kash Patel, për të udhëhequr Byronë Federale të Hetimit. Ish-shefi i shtabit të departamentit të mbrojtjes së SHBA-së në administratën e parë të Trump, Patel ka qenë një kritik i ashpër i Byrosë Federale, ndërsa nga ana tjetër, mbështetës i palëkundur i presidentit të ardhshëm republikan.
Përzgjedhja është në përputhje me pikëpamjen e Trump se agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës të qeverisë kërkojnë një transformim rrënjësor dhe dëshirën e tij të deklaruar për ndëshkim kundër kundërshtarëve të supozuar. Që Patel të marrë këtë detyrë, drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, do të duhej të japë dorëheqjen ose të shkarkohet në janar, kur Donald Trump të marrë drejtimin e vendit.
Patel “luajti një rol kyç në zbulimin e mashtrimit të Rusisë, duke qëndruar si një avokat për të vërtetën, përgjegjshmërinë dhe Kushtetutën”, shkroi Trump të shtunën mbrëma në një postim në mediat sociale.