Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se është “i lumtur” që Princi Harry dhe familja e tij janë larguar nga SHBA-ja dhe janë rikthyer në Britani.

Jam i lumtur për këtë. Nuk kam qenë fans i tyre”, tha Trump në Zyrën Ovale, duke komentuar vendimin e fundit të Harryt dhe Meghan Markle për t’u larguar nga Kalifornia pas gjashtë vitesh qëndrimi në SHBA.

Çifti u rikthye në Britani në fund të gushtit. Harry dhe Meghan u tërhoqën nga detyrat zyrtare të familjes mbretërore në vitin 2020, kur u shpërngulën në Shtetet e Bashkuara. Trump tha se nuk e kishte pëlqyer mënyrën se si çifti ishte sjellë ndaj familjes mbretërore britanike.

Mendoj se ata e trajtuan familjen mbretërore me shumë mungesë respekti. Nuk më pëlqeu”, tha presidenti amerikan, duke përmendur marrëdhënien e tij të mirë me Mbretëreshën e ndjerë Elizabeth dhe me Mbretin Charles, i cili po trajtohet për kancer.

Trump kritikoi në veçanti Meghan Markle. “Nuk më pëlqeu mënyra se si u soll. Mendoj se ishte jashtëzakonisht mosrespektuese”, tha ai.

Pas zhvendosjes në SHBA, Harry dhe Meghan folën publikisht për marrëdhëniet e tyre me familjen mbretërore. Në një intervistë me Oprah Winfrey, Harry akuzoi familjen për mungesë mbështetjeje, ndërsa Meghan tha se gjatë shtatzënisë së saj kishte pasur shqetësime dhe diskutime brenda familjes mbretërore për ngjyrën e lëkurës së fëmijës së tyre.

Princi William, i mohoi akuzat për racizëm ndaj familjes mbretërore. Harry ka thënë gjithashtu se presioni i madh nga mediat dhe shqetësimet për sigurinë e familjes së tij ishin ndër arsyet që çuan në largimin nga Britania dhe zhvendosjen në Kaliforni.

Tashmë që janë rikthyer në Britani, Harry dhe Meghan pritet të vazhdojnë të jenë anëtarë joaktivë të familjes mbretërore. Çifti planifikon të jetojë për një periudhë më të gjatë jashtë Londrës me dy fëmijët e tyre, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet, të cilët pritet të ndjekin shkollën në Britani.

Nuk është e qartë se çfarë e ndryshoi vendimin e çiftit për t’u rikthyer, por Harry ka thënë më herët se dëshiron që fëmijët e tij të kalojnë më shumë kohë në Britani.

Po të isha pjesë e familjes mbretërore, nuk do t’i kisha pranuar sërish”, shtoi Trump.