Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj Britanisë së Madhe, duke pretenduar se ndërhyrja ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit e ka mbrojtur edhe Mbretërinë e Bashkuar nga një kërcënim i mundshëm bërthamor.

Në një intervistë për britaniken GB News, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë parandaluar një skenar të rrezikshëm, duke argumentuar se nëse Irani do të siguronte armë bërthamore, mundësia që ato të përdoreshin kundër një objektivi evropian do të ishte më e madhe.

“Unë po e shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi”, u shpreh Trump, duke theksuar se raketat iraniane kanë kapacitetin për të arritur objektiva në Evropë.

Teherani ka mohuar vazhdimisht se synon të ndërtojë një arsenal bërthamor, ndërsa programi bërthamor iranian mbetet një nga çështjet më të debatueshme në marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit.

Në intervistë, presidenti amerikan riktheu edhe kritikat ndaj qeverisë britanike për vendimin për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

Trump u shpreh i pakënaqur me qëndrimin e Londrës, duke përmendur edhe rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit për furnizimin me naftë të Britanisë së Madhe.

“Shumë nga nafta juaj vjen nga Ngushtica e Hormuzit dhe ju nuk ishit atje për të më ndihmuar”, deklaroi ai.

Trump la gjithashtu të kuptohej se qëndrimi britanik mund të ketë pasoja në të ardhmen për mënyrën se si Uashingtoni do të mbështeste Londrën në çështje të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Ishujt Falkland.

Gjatë së njëjtës intervistë, Trump sulmoi sërish kryetarin e bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj tij dhe duke e cilësuar si një “kryetar bashkie shumë të keq”.

Presidenti amerikan përsëriti pretendimet e tij se krimi dhe emigracioni kanë ndryshuar ndjeshëm kryeqytetin britanik. Ai pretendoi gjithashtu se në disa zona të Londrës dhe Parisit policia ka frikë të patrullojë.

Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagim nga pala e Khan. Një burim pranë kryebashkiakut të Londrës e akuzoi presidentin amerikan se është “i fiksuar” pas Sadiq Khan.

Sipas palës britanike, niveli i krimit në Londër ka rënë dhe krimet e dhunshme janë në nivele më të ulëta krahasuar me disa prej qyteteve kryesore amerikane.

“Londra mbetet një qytet global, i larmishëm, multikulturor dhe i lulëzuar”, u shpreh burimi pranë kryebashkiakut.