Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të pranisë së tyre ushtarake në Europë, ato do ta rrisin atë në Arktik.
Presidenti Donald Trump njoftoi në rrjetin social Truth Social se ka arritur një “marrëveshje të gjerë” me Danimarkën dhe Groenlandën, e cila u garanton Shteteve të Bashkuara “të drejta të përhershme ushtarake” në ishullin arktik, që konsiderohet me rëndësi strategjike.
Danimarka e konfirmoi marrëveshjen, duke e cilësuar atë “të mirë për NATO-n dhe Europën”. Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, SHBA-ja do të ketë “akses të përhershëm, të drejta për vendosjen e trupave ushtarake dhe për fluturime mbi Groenlandë”, si dhe mundësinë për të ndërtuar instalime të tjera ushtarake, nëse do të jetë e nevojshme.
Marrëveshja ndalon Kinën, Rusinë dhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e NATO-s të ndërtojnë baza ushtarake apo të vendosin trupa në Groenlandë.
Ajo kufizon gjithashtu investimet e vendeve që konsiderohen “kundërshtare” në sektorë të ndjeshëm, si mineralet e rralla, të cilat kanë rëndësi të madhe për inteligjencën artificiale dhe mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.





