Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni do ta mbajë Iranin përgjegjës nëse rebelët Huthi të Jemenit vazhdojnë sulmet ndaj anijeve tregtare.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump kujtoi se një vit më parë SHBA-të ndërmorën sulme të fuqishme kundër Huthive për ndërhyrjen e tyre në tregtinë detare, duke shtuar se grupi kishte treguar përmbajtje gjatë konfliktit të fundit me Iranin.

“Fatkeqësisht, tani po fillojnë përsëri, duke sulmuar dy anije saudite mbrëmë”, shkroi ai.

Trump theksoi se çdo sulm i ri nga Huthit do të konsiderohet përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Iranit, duke i cilësuar rebelët si “zëvendësues” ose “përfaqësues” të Teheranit.

“Nëse kjo ndodh përsëri, SHBA-të do ta mbajnë Iranin përgjegjës. Ndëshkime të mëdha ushtarake do t’i jepen Iranit dhe, sigurisht, edhe vetë Huthive”, deklaroi presidenti amerikan.

Komentet e Trump erdhën pasi rebelët Huthi njoftuan më herët se kishin kryer një operacion ushtarak kundër dy cisternave saudite të naftës, duke përdorur raketa balistike, raketa lundrimi dhe dronë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u bëri thirrje Huthive të mos përfshihen në konfliktin me Iranin.

“Shpresoj se do të ndalen. Nuk duhet ta bëjnë këtë. U mashtruan nga iranianët”, tha Rubio para gazetarëve, duke pretenduar se grupi ishte përfshirë në konflikt nga Teherani.