Policia në qytetet e mëdha amerikane po përgatitet për trazira të mundshme në rast se ish-presidenti Donald Trump arrestohet këtë javë.

Ish-presidenti amerikan pritet të akuzohet se ka paguar në 2016 yllin e pornografisë, Stormy Daniels me 130 mijë dollarë në mënyrë që ajo të mos publikonte materiale që tregonin për lidhjen mes tyre.

Autoritetet në Nju Jork, Uashington DC dhe Los Anxhelos kanë shtuar sigurinë në disa ndërtesa. Barrikada prej çeliku u ngritën jashtë Gjykatës Penale të Manhatanit, ku Trump mund të njihet me akuzat. Prezence e shtuar e policisë është parë edhe jashtë Kullës Trump.

Çdo anëtar i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), përfshirë detektivët civile, janë urdhëruar të veshin uniformën e tyre dhe janë në gatishmëri për t’u mobilizuar.

Të gjitha këto masa janë ndërmarrë pasi ishte vetë Donald Trump i cili bëri me dije se pret të arrestohet e i bëri thirrje qytetarëve të protestojnë.

Nëse Trump dënohet për shkelje të rëndë, ai mund të dënohet me katër vjet burgim, ndonëse disa ekspertë ligjorë parashikojnë se gjoba është më e mundshme, dhe se vënia e ish-presidentit mbrapa hekurave është opsion me pak gjasa.