Të paktën 35 roje personale shoqërojnë kryeministrin Berisha gjatë tureve të tij elektorale. Një lexues i shpërndau fotografitë për mediat, ku tregohet numri i truprojave personale, jashtë çdo norme ligjore.

Ndërsa me dhjetëra të tjerë janë angazhuar në ruajtjen e banesës së tij në rrugën  “Mustafa Matohiti” në Tiranë, e  gjitha me postobllok prej tetë  vitesh, shoqërimin dhe ruajtjen  e familjarëve. Ligji për mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore  dhe që zbatohet nga Garda e  Republikës, parashikon se kreut  të qeverisë duhet t’i lihen 24  shoqërues, po aq sa presidenti apo 10 më shumë se numri 2 i piramidës shtetërore, që është kreu i Kuvendit.

Siguria  për ta, familjarët dhe banesat  e tyre i kushton buxhetit të  vendit çdo vit rreth 14 milionë dollarë dhe shumica e trupës  prej 100 punonjësish është vënë në dispozicion të ruajtjes së  kryeministrit.

Blindimi i kryeministrit, bie  ndesh me deklarata e tij, se Shqipëria është vend i sigurt, me  rend dhe siguri të garantuar  dhe nga ana tjetër është abuzim i pastër me paratë e taksapaguesve, sepse paga mesatare mujore dhe shpenzimet  për kryerjen e detyrës së një  shoqëruesi llogariten të shkojnë në rreth 1 milion lekë të vjetra në muaj.

/Shekulli/